Në kundërshtim me ligjin e me një vendim të KPMSHC-së, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, e ka caktuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil. Në këtë pozitë, Aliu ka vendosur një inspektor dhe jo dikë në një pozitë më të lartë të kategorisë pasuese, siç e kërkon Ligji për Zyrtarët Publikë. Në Ministri të Infrastrukturës kanë heshtur lidhur me këtë çështje.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, e ka caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës të drejtorit të Aviacionit Civil, Matej Krasniqi, që është inspektor i Vlefshmërisë Ajrore në këtë autoritet.
Pozita e inspektorit të cilën e mban Krasniqi nuk është e nivelit më të lartë ashtu siç kërkohet me ligj.
“Ushtruesja/i i detyrës mund të caktohet zyrtarja/i më i lartë i kategorisë pasuese, në vartësi të pozitës që caktohet, nga cilado njësi organizative brenda institucionit”, thuhet në Ligjin për zyrtarët publikë.
Bazuar në një vendim të mëhershëm të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, vendimi i ministrit është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Për një vendim të ngjashëm që Aliu e kishte marrë më 2023-tën, kur kishte emëruar asokohe “Inspektorin e Aerodromeve”, Alban Ramabaja, ushtrues detyre të drejtorit të AAC-së, KPMSHC-ja ia kishte anuluar vendimin duke e cilësuar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“Vendimi me numër protokolli 4920-2/2023-1280 i datës 07.11.2023, është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 08/L197 për Zyrtarët Publikë, përkatësisht nenin 35, paragrafin 1 dhe dy ngase sipas dispozitave përkatëse ligjore më të cilat rregullohet çështja e plotësimit të pozitave të lira me ushtrues të përkohshëm të detyrës, është përcaktuar se në rast se një pozitë e nivelit drejtues mbetet e lirë, ushtrues i detyrës mund të caktohet zyrtari më i lartë i kategorisë pasuese, në varësi të pozitës që caktohet, nga cilado njësi organizative brenda institucionit”, thuhej në vendim të KPMSHC-së.
KPMSHC-ja kishte konstatuar se ministri ka qenë i obliguar ta emërojë ushtrues detyre dikë nga pozitat e nivelit të mesëm drejtues, respektivisht dikë prej drejtorëve të departamenteve brenda AAC-së, meqë pozita e inspektorit ishte kualifikuar si pozitë e kategorisë së specialistëve.
Në vendim ishte konkluduar se janë anashkaluar nivelet më të larta të hierarkisë dhe është shkelur ligji.
Lidhur me këtë çështje KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ministrit Aliu, por nuk ka marrë përgjigje.
Është pyetur edhe ushtruesi i detyrës, Matej Krasniqi, por as ai nuk ka kthyer përgjigje.
Në konkursin e kaluar, Matej Krasniqi ka qenë një nga tre kandidatët për pozitën e drejtorit të përgjithshëm, që ishte shpallur fitues nga AAC-ja dhe Komisioni Shtetëror për pranim në pozita të larta drejtuese, kandidatë të cilët sipas projektit britanik “Corrwatch” nuk i kishin plotësuar kriteret.
Për arsyen e njëjtë konkursi ishte anuluar nga KPMSHC-ja.