Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se arsyetimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë të hënën në konferencën për media ku tregoi se për rastin e 11-vjeçares së dhunuar, nuk ka pasur psikolog të angazhuar për më shumë se dy javë, është mashtrim publik i kësaj prokurorie.
I ftuar të martën në emisionin “60 Minuta” në KTV, Miftaraj ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka të lehtë të angazhojë psikologë pasi vendosë vetë për pozitat që i ka të lejuara me buxhet të shtetit. Sipas tij, ka pozita të tjera brenda gjyqësorit në Kosovë që mund të lirohen për pozita të tjera që institucionet mund të jenë në mungesë.
“Më shumë po interesohen ta rrisin stafin prokurorial se psikologun. Mosangazhimi i psikologut ishte mashtrim publik i Prokurorisë Themelore në Prishtinë sepse është vetë Këshilli Prokurorial i Kosovës nga pozitat që i ka të lejuara me buxhet, vetë t’i vendosë se ku do t’i dërgojë, në Prishtinë apo në Prokurori Speciale apo diku tjetër. Këshilli Prokurorial i Kosovës shumë lehtë e ka, kanë nevojë për psikologë, mund ta lejojnë atë pozitë dhe ta ndajnë nga pozitat që kanë aktualisht e që janë me shumicë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se rasti i 11-vjeçares e dëshmon brishtësinë që e ka sistemi i drejtësisë në Kosovë, teksa ka shtuar se disa prokurorë nuk i japin rëndësi dhe seriozitet të duhur rasteve.
“Fatkeqësisht prokurorët në Kosovë nuk i japin rëndësi, seriozitet të duhur rasteve që i trajtojnë, në shumicën e rasteve, rastet i shohin si një lloj pune se si të largohen nga vetë rasti. Vetë fakti që kemi pasur një dhunim të një 11-vjeçareje dhe kanë qenë gjashtë persona të përfshirë dhe prokurori e dërgon të miturën në Qendrën për Punë Sociale dhe pastaj nuk kujdeset fare, nuk merret me rastin, kjo e dëshmon që nuk ka pasur as respekt e as mirëkuptim për viktimën. Duhet ta kuptojmë qartë se janë disa vepra penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare dhe nuk mbetet fare në vullnetin e viktimës nëse dëshiron ta vazhdojë ndjekjen penale, ky është ndër rastet e tilla”, ka thënë ai.
Edhe
Miftaraj: E turpshme për Prokurorinë Speciale që rastin e Banjskës t'ia lë vetëm një prokurori
Ai ka kritikuar edhe kryeministrin, Albin Kurti, dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për qasjen e tyre në konferencën për media të mbajtur të dielën, ku përveç vettingut në drejtësi folën edhe për rastin e 11-vjeçares.
“Është fatkeqësi që kryeministri i shtetit, ministrja e drejtësisë, në një konferencë ku flitet për vetting, dëshmojnë joprofesionalizëm, mungesë integriteti, mungesë profesionalizmi, kanë ndërtuar një kulturë të pandëshkueshmërisë, solidaritetit mes tyre, duke e mbrojtur njëri-tjetrin dhe duke mos marrë masa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët bien në kundërshtim me ligjin. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e bën një ndarje të hekurt mes pushtetit legjislativ, atij ekzekutiv dhe gjyqësorit, legjislativi dhe ekzekutivi kanë të drejtë që vetëm përmes politikave ta ushtrojnë pushtetin e tyre mbi pushtetin gjyqësor, që në këtë rast është përmes vettingut”, ka thënë ai.
Sipas Miftarajt, kryeministri ka dalë me statistika të gabuara në këtë konferencë.
“Kryeministri doli me statistika të gabuara. Kemi një raport që si institut e kemi publikuar në vitin 2021 dhe thirret ‘Krimet kundër integritetit seksual në Kosovë për vitet 2017-18-19 dhe 20’. Ky raport e dëshmon se kemi probleme serioze në trajtimin e këtyre lëndëve, tregon që mbi 60 për qind të rasteve të krimeve seksuale i dënojnë ata që i bëjnë këto krime, fatkeqësisht dënimet janë afatshkurtra, sikurse kemi edhe raste ku gjyqtarët vendosin për dënime me gjobë”, ka thënë ai, duke shtuar se politikanët duhet ta kuptojnë që pushtetet janë të ndara.
Edhe
Miftaraj: MD-ja në përpjekje për ta kapur Këshillin Prokurorial
Miftaraj më tej u shpreh se Qeveria duhet të ketë kujdes me mesazhet që i dërgon në publik.
“Ajo gjithmonë mund të thotë se mund ta përmirësojë sistemin e drejtësisë përmes politikave, sidoqoftë i ka duart e kufizuara sepse nuk e ka asnjë kompetencë e mundësi t’i ndihmojë këto viktima sepse në dorë i ka policia e prokuroria. Është e rrezikshme që në evidenca penale të ketë qasje ekzekutivi”, ka deklaruar Miftaraj duke shtuar se po shihet një luftë në distancë mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, gjë që sipas tij nuk duhet të ndodhë.