Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është përballur me kritika rreth deklaratave të dhëna një ditë më parë në emisionin Interaktiv të KTV-së. Ajo të martën mbrëma e pati kritikuar Gjykatën Kushtetuese rreth mosmarrjes së një vendimi për kërkesën që i është bërë mbi procesin e vettingut dhe për ligjet që i ka rrëzuar. Por kjo deklaratë e saj, nga shoqëria civile është interpretuar si ndërhyrje, e nga opozita ajo është akuzuar për mungesë të profesionalizmit
Kritikat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në llogari të Gjykatës Kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë kanë prodhuar reagime nga opozita dhe nga shoqëria civile
Reagime nxitën qëndrimet që Haxhiu i shprehu në emisionin Interaktiv të KTV-së se Kushtetuesja po i pengon reformat në drejtësi dhe se po e vonon vendimin rreth amendamenteve që ndërlidhen me procesin e vettingut.
“Tash e pesë muaj jemi në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka reforma në drejtësi, nuk jemi në linjë të njëjtë me Gjykatën Kushtetuese, sepse duket që reformat në drejtësi ose po i pengojnë, duke i zhbërë ato, ose po i vonojnë si të tilla”, ka thënë Haxhiu.
Duke i komentuar deklaratat e Haxhiut, Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në PDK, e akuzoi ministren për mungesë profesionalizmi.
“Mbrëmë në “Interaktiv” të KTV-së, ministrja e Drejtësisë pati një intervistë absolutisht skandaloze. Ja disa nga gjërat absurde që tha ajo në këtë intervistë: 1. Akuza drejt Prokurorisë: “S’po kanë çka t’i bëjnë Kurtin, po merren me Berishajn e Krasniqin”. 2. Gjykata Kushtetuese po i pengon reformat në drejtësi. 3. Lista Serbe ka shumë incizime të opozitarëve, por nuk i nxjerrin. Ju siguroj se në asnjë vend normal demokratik nuk mund të gjendet kurrë një Ministre e Drejtësisë që flet me këtë gjuhë. Është e pabesueshme mungesa e profesionalizmit në këtë shkallë. Ajo nuk e di cili është roli i saj në Qeveri”, ka shkruar Gruda.
E Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se deklaratat e kësaj natyre përbëjnë ndërhyrje në drejtësi.
“Para disa vjetëve kemi reaguar në rastet kur politika, përmes deklaratave politike, ka cenuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, prokurorial apo të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe
Haxhiu: Rruga drejt forcimit të shtetit të së drejtës është e pandalshme, pavarësisht vonesave
Dy vjetët e fundit, edhe reagimit i ka humbur kuptimi. Është e pamundur të ndjekësh këtë qeveri me reagime sa shpesh ndërhyn në pavarësinë e gjyqësorit të rregullt dhe Gjykatës Kushtetuese. Sidoqoftë, me krejt të metat që ka gjyqësori i rregullt dhe Gjykata Kushtetuese me plotë të drejtë dhe në mënyrë profesionale Gjykata Kushtetuese po e mbron Kushtetutën dhe strukturën e shtetit. Pushteti është i përkohshëm, shteti dhe vlerat qe i garanton Kushtetuta duhet mbrojtur”, ka thënë Miftaraj.
Kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese e gjykatave të tjera janë adresuar edhe javën e shkuar nga përfaqësues të pushtetit.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë, theksoi se drejtësia në Kosovë karakterizohet me joefikasitet e me vendime joadekuate ndëshkimore. Për këto kritika, as nga Këshilli Gjyqësor dhe as nga ai Prokurorial nuk ka pasur përgjigje.