Arbëri

Kritikat e Kurtit kualifikohen ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë

Një ditë pas kritikës që kryeministri Albin Kurti u bëri institucioneve të drejtësisë për mosefikasitet, deklarimi i tij u kualifikua si ndërhyrje në pavarësinë e sistemit. Krahas ndërhyrjes, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se deklaratat e politikanëve në llogari të gjykatave e prokurorisë ndikojnë edhe në humbjen e besimit të publikut në këto institucione

Ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë e ka kualifikuar njohësi Ehat Miftaraj kritikën që kryeministri Albin Kurti e shprehu të mërkurën ndaj institucioneve që e përbëjnë sistemin.

Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, u shpreh se drejtësia në Kosovë kategorizohet me joefikasitet, me raste të shumta të kthyera në rigjykim dhe me vendime joadekuate ndëshkimore.

“Andaj, reforma është domosdoshmëri e vettingu është zgjidhja”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thekson se çdo deklaratë e adresuar nga politikanët për sistemin prokurorial dhe për atë gjyqësor konsiderohet ndërhyrje.

“Nëse marrim për bazë kritikat e kryeministrit Kurti, është e vërtetë se pothuajse të gjitha qëndrojnë, por thjesht nuk i takon kryeministrit me Kushtetutë që i njëjti të thotë të njëjtat... Nëse duam të marrim shembull tipik se si dështon sistemi i drejtësisë, mund ta marrim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lënda e të cilit u parashkrua mu këtë vit nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vepra të huliganizmit e të ngjashme”, ka thënë Miftaraj.

Krahas kësaj, ai thotë se deklaratat politike kundër gjykatave e prokurorive ndikojnë edhe në uljen e besimit tek institucionet e drejtësisë.

“Edhe ashtu besimi i publikut është shumë i ulët në gjykata e prokurori, e kur kësaj i shtohet edhe doza e politikanëve, atëherë sigurisht që qytetarët i besojnë shumë, shumë më pak”, ka deklaruar Miftaraj.

Kurti pati adresuar kritika ndaj sistemit edhe për mosveprim në ndëshkimin adekuat të personave të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë që lëvizin lirshëm e rrezikojnë të marrin jetën qytetarëve.

Për këtë kritikë, avokati Anton Nrecaj thotë se fajtor nuk është vetëm sistemi i drejtësisë.

“Deri diku mund të pajtohem me deklaratën e kryeministrit, që një pjesë e asaj që po ndodh është pikërisht dështimi i sistemit të drejtësisë. Mirëpo, nuk është vetëm sistemi i drejtësisë që ka dështuar. Sepse në raste të tilla, kur kemi të bëjmë me çështje të sigurisë, gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund t’i ruajnë qytetarët”, ka theksuar Nrecaj.

E lidhur me kritikat ndaj sistemit të drejtësisë, KOHA ka adresuar pyetje në Këshillin Prokurorial dhe në atë Gjyqësor të Kosovës, porse nuk ka marrë përgjigje.