Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Michel: Ballkani Perëndimor i përket BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se është i kënaqur me punën e Shqipërisë, pas nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të martën, kur Shqipëria e Maqedonia e Veriut i nisën negociatat, Michel tha se BE-ja do të punojë që i tërë Ballkani Perëndimor të integrohet.

“Shqipëria ka punuar shumë për të siguruar rezultate nga reformat dhe një historik zbatimi në të gjitha fushat e identifikuara nga Këshilli”, shkroi ai në uebfaqen zyrtare të Këshillit.

Ai theksoi se BE-ja do të fokusohet në procesin e zgjerimit, me ç’rast sipas tij, Ballkani Perëndimor do të ketë vend në BE.

“BE-ja do të fokusohet në ringjalljen e procesit të zgjerimit. Në takimin e liderëve të BE-së e të Ballkanit Perëndimor, ne vendosëm të injektojmë një dinamikë të re dhe një vendosmëri të re për të ecur përpara së bashku. Ne do të avancojmë më tej integrimin gradual të BE-së dhe rajonit, tashmë gjatë procesit të zgjerimit. Ballkani Perëndimor i përket BE-së dhe ne duhet ta bëjmë këtë të ndodhë”, shkroi Michel.

Ai theksoi se Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë e përfaqësues të BE-së i presin punë të vështira në këtë fazë vendimtare.

“E ardhmja jonë është së bashku dhe e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e begatë dhe më e sigurt ndërsa ne avancojmë projektin tonë të vlerave të përbashkëta”.

Artikuj të ngjashëm