Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aplikimi i Kosovës për status kandidati në BE, Michel thotë se i takon KE-së ta trajtojë këtë temë

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në konferencën e përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka folur lidhur me mundësinë e aplikimit të Kosovës për të marr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në konferencën që është mbajtur pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, ai ka theksuar se Këshilli Evropian do ta trajtojë këtë temë.

“Unë konfirmoj se ky informacion u shpall nga presidenca e Kosovës. Këshilli Evropian do ta trajtojë këtë temë, të shohim se çfarë vijimi do t’i jepet kësaj iniciative”, është shprehur Michel.

Ai ka folur edhe për përshpejtimin e procesit integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Kohët e fundit e kemi kuptuar që duhet përshpejtuar procesin e integrimit të Ballkanit perëndimor, dhe është e vërtetë që lufta e filluar nga Rusia e përforcoi këtë bindje, se kishte një dimension gjeopolitik urgjent që duhej marr parasysh. Shpresoj që ky proces të jetë sa më i shpejtë dhe procesi i integirmit të Ballkanit Perëndimor të përfundojë me sukses”, ka theksuar Michel.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se për herë të parë Ballkani Perëndimor po shihet dhe po trajtohet si një rajon gjeostrategjik e gjeopolitik për Bashkimin Evropian. “Kur do të bëhemi pjesë e BE-së, një gjë është e sigurt, Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë besnik ndaj Bashkimit Evropian, edhe nëse Bashkimi Evropian zhduket, do të vazhdojmë të luftojmë të bëhemi anëtar, edhe nëse jemi vetëm ne anëtar, nuk ka rëndësi, ne duhet të bëjmë përparime”, ka theksuar Rama.