Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka vendosur të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën.
Nëpërmjet një postimi në platformën X, Michel ka thënë se vendimi i marrë të enjten është hap kyç përpara në rrugën e këtij vendi ballkanik drejt BE-së.
“Tani puna e vështirë duhet të vazhdojë që Bosnjë-Hercegovina të përparojë në mënyrë të qëndrueshme, ashtu siç dëshiron populli juaj”, ka shkruar ai.
The European Council has just decided to open accession negotiations with Bosnia and Herzegovina. Congratulations!
— Charles Michel (@CharlesMichel) March 21, 2024
Your place is in our European family.
Today’s decision is a key step forward on your EU path. Now the hard work needs to continue so Bosnia and Herzegovina… pic.twitter.com/LyotNa5gGc
Politico: BE-ja i jep dritën e gjelbër hapjes së negociatave me Bosnjë-Hercegovinën
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë vendosur të japin dritën jeshile për hapjen e negociatave me Bosnjë-Hercegovinën për anëtarësim në bllok, raportoi të enjten “Politico”.
Një draft i ri për zgjerimin, të cilin e ka parë “Politico”, ka një gjuhë më të rreptë për hapat e ardhshëm për procesin e anëtarësimit.
Sipas tekstit të ri, liderët ftojnë “Komisionin të përgatisë kuadrin e negociatave me synim miratimin e tij nga Këshilli në momentin që të ndërmerren të gjithë hapat përkatës të përcaktuara në rekomandimin e Komisionit të 12 tetorit”.
Në të njëjtën kohë, drafti i ri është gjithashtu më pozitiv për hapat e ardhshëm për Ukrainën dhe Moldavinë, siç ka kërkuar Lituania. Kur bëhet fjalë për kuadrin e negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, liderët do të ftojnë Këshillin “që t'i miratojë ato me shpejtësi dhe të çojë përpara punën pa vonesë”.
Bosnja i afrohet edhe më shumë hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur të enjten lidhur me ftesën për Bosnje-Hercegovinën për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE, raportoi Reuters.
Ata kanë theksuar se ky vend duhet të ndërmarrë më shumë reforma përpara se të fillojnë bisedimet.
Siç është raportuar, vendimi për nisje të bisedimeve do të shihej si historik në Bosnjë, duke rritur shpresat se vendi mund të lëvizë përtej destabilitetit të shënuar nga rivalitetet etnike dhe kërcënimet për shkëputje, gati tri dekada pas përfundimit të luftës.
Udhëheqësit e BE-së pritet të marrin një vendim zyrtar gjatë samitit dyditor në Bruksel që filloi të enjten. Bosnjës i duhet unanimitet për të marrë dritën jeshile, të cilin shumë liderë e sinjalizuan me mbërritjen në samit.
"Pas shumë përpjekjeve që janë bërë në Bosnjë-Hercegovinë, tani po i ndërmarrim hapat e ardhshëm për këtë vend”, ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz.
Edhe krerët e Austrisë, Kroacisë dhe Luksemburgut bënë komente të ngjashme. Edhe kryeministri holandez Mark Rutte, i cili ka mbajtur një qëndrim të rreptë për kushtet për anëtarët e rinj të mundshëm tha se Bosnja ka bërë përparim, por jo mjaftueshëm.
"Bosnja ka bërë përparim. Kjo do të thotë se ne mbështesim hapjen e negociatave. Por në të njëjtën kohë, Bosnja duhet të bëjë shumë më tepër që të jetë në gjendje kolektivisht të hapë bisedimet”, ka thënë ai.
Një ftesë për anëtarësim do të shënonte fillimin e një procesi që mund të marrë shumë vite.
Në muajt e fundit, Bosnja ka miratuar ligje në lidhje me 14 prioritetet e përcaktuara në vitin 2019 nga Komisioni Evropian, me fokus demokracinë dhe funksionimin e shtetit, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe reformën e administratës publike.
Komisioni javën e kaluar rekomandoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Bosnjën, duke vënë në dukje përparim të rëndësishëm në disa çështje. Por vendi ende nuk ka miratuar ligjet për gjykatat dhe reformën zgjedhore, të dyja prioritete të përcaktuara nga Komisioni.
Duke mbërritur në samitin e Brukselit, kryeministrja estoneze Kaja Kallas dha një notë paralajmëruese për perspektivat e Sarajevës.
"Jo të gjitha kushtet në lidhje me Bosnjë-Hercegovinën janë përmbushur. Nëse ato kushte plotësohen, atëherë edhe ne duhet t'i zbatojmë premtimet tona”, ka thënë ajo.