Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian do të rekomandojë që vendet anëtare të hapin negociatat e pranimit me Bosnje-Hercegovinën, ka thënë të martën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pavarësisht ndarjeve të vazhdueshme etnike në vendin e Ballkanit Perëndimor.
Bosnje-Hercegovina është në mesin e gjashtë vendeve nga rajoni – krahas Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE, pas një periudhe luftërash dhe krizash në vitet 1990, raportoi AP.
Anëtarësimet e tyre janë bllokuar prej vitesh. Por pas luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, BE-ja është e prirur të përpiqet t'i joshë ato nga ndikimi i Kremlinit.
“Ne e kemi kuptuar se nuk mjafton vetëm të presim që Ballkani Perëndimor të afrohet me ne. Nuk mjafton të thuhet se dera është e hapur. Ne gjithashtu duhet të marrim përgjegjësi dhe të mbështesim rrugën e tyre drejt Bashkimit tonë në çdo mënyrë të mundshme”, u ka thënë von der Leyen ligjvënësve të BE-së të martën.
Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë rekomandimin e Komisionit Evropian në një samit të planifikuar në Bruksel javën e ardhshme.
Nuk ka asnjë garanci që shtetet anëtare do ta mbështesin atë pasi udhëheqësi separatist serb i Bosnjës, Milorad Dodik, i cili është pro-rus, vazhdon të minojë presidencën dhe funksionet e tjera politike në Bosnje.