Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MI-ja bëhet me zyre për monitorim të të drejtave të pasagjerëve brenda aeroportit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, me bashkëpunëtor ka vizituar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, me ç’rast u prit nga anëtari i Bordit të Drejtorëve njëherësh edhe kryeshef ekzekutiv i këtij aeroporti, Haldun Firat Kokturk, me të cilin bisedoi për mundësitë e avancimit të shërbimeve për pasagjerëve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Lekaj dhe Kokturk, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me ç’rast Lekajt iu dorëzuan çelësat e zyrës për monitorim të të drejtave të pasagjerëve, e cila tash e tutje do të jetë në shfrytëzim të Ministrisë së Infrastrukturës, respektivisht Departamentit të Aviacionit Civi”, thuhet në komunikatë.

Lekaj tha se me vendosjen e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës në ambientet e aeroportit, qytetarët do të kenë mundësi ku t’i parashtrojnë ankesat dhe do të udhëzohen nga kjo zyre në lidhje me të drejtat e tyre që iu takojnë. Kurse sa i përket shtimit të numrit të pasagjerëve për 14.5%, krahasuar me vitin e kaluar, Lekaj e ka përgëzuar menaxhmentin e “ANP Adem Jashari” duke shtuar se ky rezultat jep mesazhin që “ANP Adem Jashari” është qendër e pasagjerëve që e lidhë Prishtinën me botën dhe se do ta ketë mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës edhe më tej.

“Kurse lidhur me mashtrimet e pasagjerëve nga persona dhe kompani të ndryshme, Lekaj tha se kjo dukuri është reduktuar në mënyrë drastike krahasuar me vitet e kaluara edhe kjo zyre që sot zyrtarisht po e hapim brenda ANP-së, do të jetë në shërbim të pasagjerëve, që të mos ndodhin rastet e mashtrimit”, thuhet në komunikatë.

Kurse Kokturk tha se zyra së monitorim për të drejtat e pasagjerëve, e cila nga sot është në dispozicion të Ministrisë së Infrastrukturës krijon kontakt të drejtpërdrejtë mes ministrisë dhe pasagjerëve në adresimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve të tyre.​