Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministri Lekaj kërkon kohë për çështjen e pistës së aeroportit “Adem Jashari”

Prishtinë, 13 tetor - Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj priti sot përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Aeroportit "Adem Jashari".

Drejtori i Bordit, Nihat Ozdemir, pasi e uroi për pozitën e re, e njoftoi detajisht me projektet të cilat po i realizon "Limak" në Turqi dhe Kosovë, me ato sipas modelit të Partneritetit Publiko Privat (PPP) dhe investime të tjera.

U bisedua konkretisht për projektin e zgjatjes së pistës ne Aeroportin "Adem Jashari", për të cilin pritet bashkëpunim i dyanshëm.

Ministri Lekaj i përgëzoi ata për punën dhe ngritjen e numrit të pasagjerëve, ndërsa sa i përket projektit për zgjatjen e pistës së aeroportit tha se është i gatshëm të bashkëpunojë për këtë projekt, porse i duhet hapësirë kohore për të analizuar edhe një here formën e financimit, për shkak të shumës së madhe e cila është paraparë për t’u investuar për këtë pistë dhe pamundësisë për ta mbuluar në tërësi.

Ndër të tjera ministri Lekaj dhe drejtuesit e kompanisë "Limak" diskutuan edhe për mundësinë e aktivizimit edhe investimit në Aeroportin e Gjakovës, për të cilin u dakorduan dy palët që shume shpejt të bëhet një studim fizibiliteti si dhe të gjenden format më të mira të investimit në të.​