Është finalizuar projekti i zgjatjes së pistës dhe ngritjes së kapacitetit të ndriçimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Pista është zgjatur nga 2500 metra në 3040.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e ka quajtur këtë moment të rëndësishëm duke thënë se përfundimi i këtij projekti ka ndikim në transportin ajror dhe krijon kushte për të ardhmen për transport të mallrave.
“Projekti tashmë është i finalizuar dhe është operacional dhe janë instaluar edhe pajisjet e sofistikuara për aterrim. Kemi të instaluar sistemin e ri të navigimit, është bërë trajnimi për shfrytëzim. Është instaluar aterrimi përmes navigimit me instrumente ils, është instaluar edhe sistemi meteorologjikë. Aeroporti i Prishtinës është tash në nivel të konkurrueshmërisë në rajon. Pista e këtij aeroporti është më e përshtatshme se aeroportet të regjioneve dhe sa u përket sistemeve të avancuara 3B nga sistemi 2 që e kemi pasur më parë është një renditje e lartë”, tha ai.
Gjenerali i KFOR-it, Ferenx Kajari, ka thënë se Aeroporti i Prishtinës ka krijuar një infrastrukturë shumë të mirë dhe ka avancuar në këtë hapësirë duke zgjeruar pistën dhe përmirësimet e infrastrukturës janë hap pozitivë për aviacionin në Kosovë dhe në përgjithësi për regjionin e Ballkani.