Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se situata me vërshimet në Kosovë është nën kontroll.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mehaj ka theksuar se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dalë në terren ku niveli i ujit ka filluar të bie dhe gjendja po qetësohet.
“Situata me vërshime në vendin tonë është nën kontroll, me gjithë vështirësitë në terren ushtarët tanë me sukses po iu dalin në ndihmë qytetarëve tanë. Tani gjendem në Mitrovicë, u takuam me kryetarin e komunës, z. Bedri Hamza me të cilin diskutuam për masat që duhet të ndërmarrim, lajme të mira nga terreni ku niveli i ujit po bie dhe gjendja po qetësohet”, ka shkruar Mehaj.
Ai më tej tha se FSK-ja u ka dalë në ndihmë qytetarëve në Skenderaj, Istog dhe Klinë, e në rast nevoje edhe në Junik.
Pas reshjeve të pandërprera në disa zona në Kosovë kanë ndodhur vërshime.
Situata është përkeqësuar në disa komuna, përfshirë, Skenderajn, Drenasin, Pejën, Klinën, Mitrovicën e Podujevën.