Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se njësitë e Forcave të Sigurisë së Kosovës të kërkim-shpëtimit janë nisur për në qytetin e Pejës për të ndihmuar pas vërshimeve që kanë ndodhur të shtunën në këtë qytet.
Duke e konsideruar gjendjen të rëndë, Mehaj ka thënë se ministria të cilën e drejton është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e saj për ta tejkaluar situatën.
“Njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t'iu dalë në ndihmë në këtë gjendje të rëndë. Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë”, ka shkruar ai në Facebook.
Si pasojë e vërshimeve në këtë komunë, një grua bashkë me fëmijën e saj pesëvjeçar kanë humbur jetën.