Arbëri

Kurti: Jemi të angazhuar me FSK-në për tejkalimin e pasojave të vërshimeve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria është angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave për të ndihmuar në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve që ndodhën në mbrëmjen e së shtunës.

Ai ka njoftuar se Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme.

Intervenimi i FSK-së:

Nëpërmjet një postimin në Facebook, Kurti ka thënë se humbjet e dy jetëve si pasojë e këtyre vërshimeve, janë humbje të mëdha për vendin.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë. Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai.