Arbëri

Me “Dekada e Re për Drenasin”, Ajazi garon në Drenas, kritikon PDK-në për padrejtësi

Me sloganin "Dekada e Re e Drenasit", Driton Ajazi ka njoftuar se do të kandidojë për kryetar të kësaj komune. Ai shkroi në Facebook se qendra e PDK-së në Drenas "vendos të mbyllë sytë duke vendosur që të mbështesë edhe për një mandat kryetarin aktual", Ramiz Lladrovcin.

Ajazi shkroi se Qendra e kësaj partie nuk i dëgjoi thirrjet e anëtarëve të PDK-së, "të cilët me vite të tëra u angazhuan e kontribuuan fortë që Drenasi të jetë bastion i pathyeshëm".

“Por, ne nuk dorëzohemi përballë padrejtësive. Ky mashtrim, kjo padrejtësi e kjo tradhti ndaj votuesit tonë besnik duhet të marr fund sa më parë. Ne nuk dorëzohemi përballë një njeriu që ka ndalur proceset drejt zhvillimit të Drenasit. Duke mos na lënë asnjë mundësi tjetër, ne kemi vendosur që bashkë edhe me ju të ecim përpara në realizimin e synimeve tona të drejta për komunën tonë, duke konkurruar me sloganin ‘Dekada e Re për Drenasin’”, shkroi ai.

Ajazi ka deklaruar muajmë parë në Interaktiv të KTV-së se kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk është dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e PDK-së.

“Ne jemi PDK, ne e përfaqësojmë atë, Lladrovci nuk ka qenë e as nuk është. Lladrovci nuk e ka implementuar projektin e PDK-së, ai ka zgjedhur të bashkëpunojë me opozitarë, me parti të tjera, andaj nuk ka arritur të implementojë projektin”, ka thënë ai më 7 qershor.