Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Driton Ajazi aplikon në KQZ me iniciativë të pavarur për të parin e Drenasit

Driton Ajazi i cili deri para disa javëve ishte anëtar i Degës së PDK-së në Drenas, në KQZ për të parin e kësaj komune ka aplikuar me iniciativën “Dekada e re për Drenasin”.

Ai listën si iniciativë e pavarur e ka dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në ditën e fundit kur mund të pranohen aplikacionet për zgjedhjet komunale.

Kjo ka ardhur pas përçarjeve brenda PDK-së për këtë komunë.

Fillimisht ai ishte kandiduar nga Dega në Drenas për kryetar të kësaj komune, por më pas nga Qendra e PDK-së ishte konfirmuar kandidimi i Ramiz Lladrovcit.

“Tani më zyrtarisht dërguam certifikimin e iniciativës sonë ‘Dekada e Re për Drenas’ me të cilën do të garojmë për kryetar komune në Drenas dhe asamble komunale. Si struktura të degës së PDK-së në Drenas na u imponua me vazhdu garën në këtë format, pasi në mënyrë të padrejtë u rikandidu kryetari aktual z. Ramiz Lladrovci, pa përkrahjen e degës së PDK-së në Drenas. Si rezultat strukturat tona e bëmë këtë formacion plitik. E tani do të vazhdojmë përmes ‘Dekadës së Re për Drenas’, do të jetë adresa e vetme e gjithë votuesve të PDK-së në Drenas, ata votues që na qëndruan besnik tash e 20 vjet. Do të jetë adresa e vetme e gjithë qytetarëve të komunës së Drenasit, që ia duan të mirën Drenasit e zhvillimin Drenasit. Gjatë 5 vjetëve ka ngecur komuna e Drenasit”, ka thënë Ajazi.