Arbëri

Mbledhja e Komisionit për financa nis me tensione pushtet-opozitë

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për financa ka nisur të martën me tensione ndërmjet pushtetit e opozitës.

Deputeti Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë se kryesuesja Hykmete Bajrami, e cila vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka mbyllur pa shpjegim mbledhjen e kaluar të komisionit dhe ka lejuar një deputetë të bëjnë ofendime.

Bajrami ka shpjeguar se mbledhjen e ka mbyllur shkaku që ministri i Financave, Hekuran Murati mungoi në raportim pa paralajmërim.

"Unë nuk kam qenë e informuar. Stafi i komisionit nuk ka qenë i informuar”, ka thënë Bajrami.

Murati është kundërpërgjigjur se kjo është e pavërtetë dhe se stafi i tij e ka njoftuar administratën se ministri nuk mund të vijë në mbledhjen e komisionit.

Bajrami ka thënë se niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditorit është i ulët.

"Kemi parë që 59 për qind e rekomandimeve nuk kanë qenë të zbatuara”, është shprehur ajo.

Ajo ka përmendur edhe shpenzimet kapitale, për të cilat ka thënë se ka ngadalësim dhe rënie të performancës së ndërmarrjeve publike në raport me vitin e kaluar.

Ndërkaq, zëvendësauditori i Përgjithshëm, Bezat Halili ka folur në komision për ndërmarrjet publike duke thënë se stabiliteti i tyre financiar është i ndjeshëm.

Ai ka thënë se totali i borxheve të ndërmarrjeve është 238 milionë euro detyrime.

“Humbje kanë 177.8 milionë. E kanë të vështirë t'i mbulojnë obligimet”, ka thënë ai.