Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati në Durrës, pushteti dhe opozita përplasen për të

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për shqyrtimin e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës për vitin 2021.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se megjithëse tash e 10 ditë më parë ministri Murati ka konfirmuar ardhjen, në mbledhje nuk ishte prezent.

“Asnjë njoftim nuk ka pasur nga stafi i Ministrisë së Financave. Sot një njoftim e kemi parë në media se ministri Murati është në Shqipëri, përkatësisht në portin e Durrësit”, tha ajo.

Bajrami dyshon se mosprezenca e Muratit mund të jetë një skenar.

Pas kësaj pati një përplasje mes deputetëve të shumicës.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se është e pakuptimtë që të shqyrtohet raporti pa prezencën e ministrit Murati.

Në këtë komision, Beqa ngriti çështjen se në atë raport ka të gjetura për t‘u dërguar në prokurori.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe ndaljen e pagave për grevistët.

Deputetja e VV-së, Mirlinda Sadiku ka arsyetuar mungesën e Muratit dhe i ka quajtur paragjykime deklaratat e kryetares Hykmete Bajrami.

Edhe pse mbledhjen e Komisionit e mbylli kryetarja Bajrami, vazhdimin e mbledhjes e vazhdoi nënkryetarja Arta Bajraliu nga Lëvizja Vetëvendosje. /ksp

Artikuj të ngjashëm