Raporti i Auditorit për Buxhetin e vitit 2021 është shqyrtuar në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në të cilin opozita e ka bërë përgjegjëse Qeverinë për rritjen e numrin të gjetjeve. E ministri Hekuran Murati akuzoi ish-qeveritë e edhe komunat për keqmenaxhim të buxhetit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, është përballur me kritikat e deputetëve opozitarë gjatë pjesëmarrjes në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku është shqyrtuar raporti i Auditorit, për Buxhetin e 2021-tës.
Ligjvënës të opozitës thanë se është rritur numri i gjetjeve nga Zyra Kombëtare e Auditorit, ndërkaq Murati foli për të arritura. Në mesin e tyre listoi edhe rritjen e buxhetit për shpronësime, nëpërmjet të cilit, sipas tij, do të zhbllokohen edhe projektet e rrugëve që lidhin Prishtinën me Pejën, me Podujevën dhe me Mitrovicën.
“Çfarë kemi bërë është që e kemi shtuar buxhetin fillimisht përmes rishikimit e pastaj edhe në tremujorin e fundit përmes rialokimeve të mjeteve në kuadër të mundësive që i ofron ligji”, ka thënë ai.
Ministri ka akuzuar komunat se kanë dëmtuar buxhetin, qoftë përmes investimeve në prona private, qoftë duke mos e mbrojtur veten në gjykata, për paditë që mësimdhënësit dhe mjekët i bëjnë për pagat jubilare.
“Domethënë ju përgjatë 20 viteve keni krijuar kaq shumë probleme saqë është e pamundur të zgjidhen të gjitha për një vit e gjysmë. Ne po i adresojmë të gjitha një nga një dhe po besoj që do të duhej së paku 20 muaj të na jepnit kohë t’i zgjidhim”, ka thënë ai.
Edhe
Projektbuxheti i 2025-tës kalon në Komisionin për Buxhet
Ligjvënësit opozitarë iu kundërpërgjigjën.
Albana Bytyqi, deputete e AAK-së, ia përmendi Muratit pagat që vazhdojnë t’i marrin ish-pjesëtarët e Mbrojtjes Civile, pa punuar fare.
“Jemi lodhur duke na i përmendur këtë 20-vjetshin, 20 vjet e 20 vjet. Jo ministër, shumë gabim je. Qe gati 20 muaj i bën në qeverisje. Më vjen shumë keq që më duhet ta them, por nëse ti je ministër i dështuar duhesh të deklarosh se këta 199 punonjës ke mundur dy muaj afat t’i japësh, hiç më shumë”, ka thënë Bytyqi.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e sfidoi Muratin, tek iu përgjigj për akuzën e tij që lidhet me detyrimet e komunave ndaj Kontratës Kolektive.
Edhe
Murati prezanton buxhetin për vitin e ardhshëm, reagon opozita
“Në qoftë se mendoni se kontratat kolektive janë komplet joligjore, ashtu siç i potencuat është mirë që të merrni masa”, ka thënë Bajrami.
Në këtë mbledhje të komisionit ka folur edhe zëvendësauditori i përgjithshëm, ku rritjen e numrit të opinioneve të modifikuara apo negative për organizatat buxhetore e ka arsyetuar me aplikimin e metodologjisë më rigoroze të udhëheqësisë së re të këtij institucioni.