Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveri-Komunë, përplasje e fyerje për buxhetin e Prishtinës

Komuna e Prishtines

Një deklaratë e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se Qeveria ka kontribuuar më shumë se vetë Komuna e Prishtinës në rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, ka nxitur përplasje e ka përfunduar me fyerje nga pala tjetër.

Në një shkrim në Facebook të shtunën, Murati u shpreh se nga viti 2021 deri më 2024 Qeveria ka rritur mbështetjen për Komunën e Prishtinës për mbi 25 milionë euro, ndërsa shtoi se 10 milionë euro ishte rritja e të hyrave vetanake komunale në këtë periudhë. Sipas të dhënave të publikuara nga Murati, buxheti i Prishtinës më 2021 ishte 87.6 milionë euro dhe nga to 28.2 milionë ishin të hyra vetanake e 58.5 milionë mbështetje nga Qeveria. Për vitin 2024, ai ka thënë se Qeveria ka mbështetur komunën me 83.9 milionë euro e të hyrat vetanake të Komunës kanë qenë 38.8 milionë euro, për buxhetin prej 12.7 milionë eurosh.

“Nëse bëjmë krahasimin për këtë periudhë, e shohim se të hyrat vetanake komuna ka arritur t’i rrisë për 10 milionë euro, ndërsa mbështetja nga qeveria është rritur për mbi 25 milionë euro. Me fjalë tjera, më shumë ka kontribuar Qeveria Kurti në rritjen e buxhetit të komunës, sesa vetë komuna. Buxhetin e kanë si kurrë më parë. Por, me punu s’mund t’i detyrojmë. Punën duhet ta bëjnë vetë”, ka shkruar ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i zyrtarëve të pushtetit në Prishtinë. Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, e ka quajtur manipulues Muratin. Ai ka thënë se granti shtesë i takon me ligj kryeqytetit. Zogaj madje ka thënë se bazuar në matje, Prishtina duhet të ketë dyfishim të buxhetit. Ka akuzuar po ashtu Qeverinë se ka shkaktuar vetëm bllokada për Prishtinën.

“Z. Ministër Manipulues Murati, Granti shtesë për Kryeqytetin, të cilit po i referohesh, na TAKON me Ligj, me Ligjin e Kryeqytetit. Kurse, ju si Qeveri, nuk e keni ndarë asnjë CENT shtesë për Kryeqytetin, perveç asaj qe na takon me ligj. Dhe, për më tepër, ato fonde i ndani me censusin e vitit 2011, ku Prishtina kishte më pak se 200.000 banorë. Z. Ministër, a e dini ju që Kryeqyteti sot, në bazë të shumë matjeve, ka rreth 400.000 banorë rezident? Pra, ne duhet të kemi dyfish buxhet sa kemi aktualisht! Për fund, ma trego 1 projekt, ku ju si Qeveri, keni marr' vendim politik për të investu në Kryeqytet, 1 projekt?!! Përkundrazi, bllokada në vazhdimësi!” ka shkruar ai.

Edhe drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Krenar Xhaferi, ka akuzuar Muratin e Qeverinë për bllokada. Ai e ka quajtur “këlysh” ministrin Murati.

“Kur flet Hekurani, flet Albini! E kur bëhen bashkë k’ta, flet bllokada. Prej kësaj qeverie ne kemi pas vetëm bllokada. Duhet me i ardhë turp këtij adoleshenti kur flet për Prishtinën, e leje ma të flas për përkrahje. Marrja nuk paska kufi e ky është kampion i bllokadës dhe të pavërtetës bashkë me shefin dhe këlyshat e tij”, ka shkruar ai në Facebook.

Artikuj të ngjashëm