Arbëri

Murati akuzon opozitën: Mungesa e Kuvendit po pengon reformat ekonomike

Hekuran Murati

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se buxheti për vitin aktual mbetet në fuqi deri në fund të vitit, ndërsa pa një Kuvend funksional, qeveria nuk ka mundësi të miratojë buxhetin për vitin 2026, siç kërkohet me afat ligjor deri në fund të tetorit.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë në detyrë, Murati ka thënë se është përgatitur një pako reformash ekonomike, por mungesa e konstituimit të Kuvendit e ka bllokuar mundësinë e miratimit dhe zbatimit të saj. 

“Ne si qeveri kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për ta përgatitur një paketë reformash, mirëpo tash, siç e dini, situata është e tillë që nuk ka Kuvend që mund të marrë vendime për ratifikimin e një pako të tillë,” ka deklaruar ai.

Ai tutje ka lavdëruar Qeverinë për sigurim të stabilitetit në vend.

“Çfarëdo faktori destabilizues që mund të ketë ekzistuar nuk është më”, është shprehur ai.

Murati u bëri thirrje subjekteve opozitare që të tregojnë përgjegjësi dhe të shmangin kushtëzimet që pengojnë funksionimin institucional.

“Kjo është thirrje për subjektet opozitare që t’i thërrasin arsyes... ne e bëmë një gjë të tillë kur ishte rasti i nënkryetarëve të Kuvendit,” shtoi Murati, duke kritikuar opozitën e deritashme për kërkesë që të lëshohen zyrat, gjë që sipas tij do të çonte në mungesë të funksionimit institucional. 

“Po të dëgjohej opozita nuk do të kishte as institucione, se siç e dini kanë kërkuar që t’i lëshojmë zyrat,” përfundoi ai.