Arbëri

Murati: Opozita të reflektojë, Kosova do t’i humbë 90 mln euro hua nëse s’konstituohet Kuvendi

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar, siç ka thënë, reflektim nga opozita, që të mundësohet konstituimi i Kuvendit. 

Ai ka thënë se Kosova rrezikon t’i humb 90 milionë euro hua pa kamatë, të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat sipas tij, po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar. 

“Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim, duke prolonguar kështu ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, ka shkruar Murati. 
Sipas tij nëse marrëveshja nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe t’i jepen një shteti tjetër. 

“Prandaj është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje. Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë”, ka shkruar Murati.

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të 36-të në përpjekje për ta konstituar legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. 

Të shtunën, deputetët dështuan ta konstituojnë legjislaturën e re edhe në përpjekjen e 35-të. Sërish, përfaqësues të dy taborëve politikë përgjegjësinë për dështimin ia faturuan njëri-tjetri.