Ministri i Financave, Hekuran Murati në arsyetimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2026 para deputetëve ka thënë se kanë propozuar që ai të procedohet ashtu siç ka qenë vitin e kaluar, duke mos reflektuar strukturën e re të Qeverisë që ka 4 ministri më shumë.
Por, ka thënë që do ta rishikojnë atë brenda muajit.
Ai ka thënë se në Ligj parashihet edhe ndryshimi i tabelave.
Murati ka thënë se të hyrat buxhetore janë 3.64 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve do të mbulohet me kredi apo edhe me deficit.
Ai ka thënë se paga e 13-të për punonjësit e administratës parashihet të jepet në fillim të vitit.
"Është një buxhet që kufiri i shpenzimit është rreth 4 miliardë euro. Këto shpenzime mund të zbërthehen në kategori paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliardë e 358 milionë euro, shpenzime kapitale 998.4 milionë euro, si dhe 100 milionë euro të tjera të financuara nga klauzola e investimeve. Pjesa e mbetur e deficitit parashihet të financohet përmes huamarrjes ose granteve nga donatorët.Përveç këtyre, është paraparë që: Paga e 13-të të shtohet këtu, Përvoja e punës, që me ligjin e pagave për 15 vitet e para ishte 0.25% për vit, të kthehet në 0.5% në vit për të gjitha vitet. Shtyrja e hyrjes në fuqi të normës progresive për tatimin në pronë, në mënyrë që këtë vit të kemi një ligj të ri në konsultim me komunat, duke qenë se këto të hyra u shkojnë atyre”, ka deklaruar Murati.