Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Arti i Xhevdet Xhafës i dokumentuar në katalog, shndrit në terr

Xhevdet Xhafa

Në terr, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, Xhevdet Xhafa (92), i pranishëm në promovim, ka nënshkruar disa prej katalogëve të shpërndarë, dhe kjo ka qenë veçantia e ngjarjes (Foto: Rina Lasku)

Larg një ngjarjeje me regji a tis romanik, artisti që ka shndritur botën e artit i ka nënshkruar në terr katalogët e ekspozitës së tij. Në mungesë të energjisë elektrike, Galeria Kombëtare e Kosovës s’e ka ndalur hapin teksa ka përuruar botimin për ekspozitën “Sill Running” të Xhevdet Xhafës. Rëndësia e katalogut është vënë në pah në kontekstin e mungesës së dokumentimit dhe arkivimit të trashëgimisë së arteve pamore në Kosovë

Në një promovim modest, të mbajtur në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës, katalogu i ekspozitës “Still Running” ka sjellë dëshminë e krijimtarisë së artistit Xhevdet Xhafa, një prej figurave pioniere të artit modern dhe gjeneratës së parë të artit pamor në Kosovë. Në terr, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, Xhafa (92), i pranishëm në promovim, ka nënshkruar disa prej katalogëve të shpërndarë, dhe kjo ka qenë veçantia e ngjarjes. 

Botimi dokumenton veprat e prezantuara në ekspozitën “Still Running”, e kuruar nga familja e artistit, dhe synon të ruajë e të përcjellë një pjesë të krijimtarisë së tij te brezat e ardhshëm. Rëndësia e katalogut është vënë në pah në kontekstin e mungesës së dokumentimit dhe arkivimit të trashëgimisë së arteve pamore në Kosovë.

Në katalog janë përfshirë edhe materiale që e vendosin krijimtarinë e Xhafës në kontekste të ndryshme artistike dhe historike. Mes tyre është një intervistë me artistin e zhvilluar nga kuratori i njohur ndërkombëtarisht, Hans Ulrich Obrist, eseja “Ontologjia piktoriale dhe vetëdisiplina e Xhevdet Xhafës” e kuratores turke Övül Ö. Durmuşoğlut, teksti “Autobiografia shpirtërore” i Ješa Denegrit, si dhe “Në kontekstin etnik” i Sonja Adžibajevës.

Për artistin Sislej Xhafa, të birin e Xhevdet Xhafës, procesi i kurimit të ekspozitës familjare ka qenë sfidues. 

“Të punosh me Xhevdet Xhafën është pak e vështirë, edhe unë e kuptoj. Ka qenë sfidë, por më së shumti sepse kur e përfundon një punë, nëse është diçka e jotja, është më e lehtë ta konfrontosh. Por, kur bëhet fjalë për një vepër që lind nga një proces krijues, është e vështirë ta ndash nga një univers të hulumtimit të tij”, ka thënë ai.

Artisti Sislej Xhafa ka treguar se për familjen ky proces ka qenë edhe një përvojë e veçantë emocionale.

“Për ne ka qenë një moment shumë magjik. Prandaj ka qenë nder edhe për ne”, ka thënë ai.

Për kuratorin Zeni Ballazhi, botimi është kontribut në plotësimin e boshllëqeve të dokumentimit të historisë së artit pamor në Kosovë. 

“E kam theksuar shpesh se dokumentimi i trashëgimisë së arteve pamore të Kosovës është më se i nevojshëm. Kjo duhet të bëhet përmes librave, monografive, por edhe ekspozitave, siç është kjo ekspozitë, si dhe përmes promovimit të katalogut të saj. Xhafa ka pasur edhe më herët promovimin e monografisë së tij në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kjo ndihmon në plotësimin e një pjese të dokumentimit të trashëgimisë së arteve pamore të Kosovës, pasi Xhafa është pjesë e saj, veçanërisht e gjeneratës së parë të artit pamor në Kosovë”, ka thënë Ballazhi për KOHËN. 

Ballazhi, i cili e ka njohur artistin që nga viti 1998, kur ka ndjekur studimet e magjistraturës në Prishtinë, ka thënë se dokumentimi i një artisti është proces që nuk mund të përmbyllet domosdoshmërisht me një libër të vetëm.

“Mendoj se është e vështirë të flitet apo të shkruhet për një artist vetëm përmes librave, sepse shumë përvoja dhe momente të jetës së tij nuk mund të dokumentohen plotësisht. Ndoshta do të duheshin vite të tëra për të përmbledhur gjithçka. Për këtë arsye, mendoj se një monografi apo një libër i vetëm nuk mjafton për ta dokumentuar tërësisht një artist. Megjithatë, Xhafa meriton të prezantohet në lartësinë e duhur dhe të mbetet pjesë e trashëgimisë së arteve pamore të Kosovës”, ka thënë ai.

Artistja Zake Prelvukaj, dikur nxënëse e profesor Xhafës, ka vlerësuar se botime të tilla marrin peshë të veçantë në një vend ku arkivimi i krijimtarisë artistike mbetet i mangët.

“Katalogu është dokumenti fizik më i rëndësishmi për një artist. Mendoj se kjo vlen veçanërisht për Xhafën, sepse ai ka krijimtari shumë karakteristike dhe të guximshme, ashtu siç ka qenë edhe vetë temperamenti i tij. Punimet e tij e reflektojnë këtë karakter. Gjithmonë e kam njohur si artist të guximshëm. E njoh mirë, pasi e kam pasur edhe profesor, ndërsa më vonë kemi punuar së bashku në fakultet”, ka thënë ajo. 

Katalogu i përuruar nga Galeria Kombëtare e Kosovës dokumenton veprat e prezantuara në ekspozitën “Still Running” të kuruar nga familja e artistit Xhevdet Xhafa dhe synon të ruajë e të përcjellë një pjesë të krijimtarisë së tij te brezat e ardhshëm (Foto: Rina Lasku) 
 

Sipas saj, artisti ka pasur një raport të veçantë me veprat e veta, duke i ruajtur dhe arkivuar ato me kujdes dhe kjo e ka bërë të mundur që sot të jenë të pranishme edhe në katalog.

“Fatmirësisht, profesor Xhafa ka ditur t’i ruajë punimet e tij dhe t’i arkivojë vetë. Për të, punimet kanë qenë ndër gjërat më të rëndësishme. Ai nuk i ka vlerësuar vetëm nga pikëpamja materiale. Natyrisht, njeriu ka nevojë të sigurojë të ardhura, por ai i ka mbrojtur veprat e tij me fanatizëm, madje ka duruar shumë dhe nuk i ka shitur disa prej punimeve më të mira. Është fat i madh që këto vepra nuk janë shitur dhe sot mund të jenë pjesë e katalogut. Në të kundërtën, ndonjëherë, kur punimet shiten, bëhet e pamundur të gjenden sërish për t’u fotografuar, dokumentuar dhe prezantuar fizikisht para publikut”, ka thënë ajo.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani, e ka cilësuar pritjen e ekspozitës së Xhafës si nder për institucionin. Ka theksuar edhe sfidat në zhvillimin e ngjarjes së të mërkurës mbrëma. 

“Kuptuam se ka prishje serioze, por mirë që nuk pati sukses të prishet kjo ngjarje. Për ne ka qenë nder dhe kënaqësi të presim ekspozitën e profesor Xhevdet Xhafës. Është ekspozita e parë personale e tij në Kosovë. Një ekspozitë që do të jetojë gjatë”, ka thënë Gojani.

Ekspozita “Still Running”, e hapur më 10 shtator në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është ekspozita e parë personale e Xhevdet Xhafës në këtë institucion. Ajo përmbledh vepra të realizuara përgjatë më shumë se shtatë dekadave, duke ndjekur zhvillimin e gjuhës së tij artistike dhe raportin e saj me ndryshimet shoqërore, politike e institucionale nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Titulli i ekspozitës, “Still Running” (Ende në vrap), lidhet me vrapimin si përvojë personale dhe si metaforë të vazhdimësisë së kërkimit artistik të Xhafës. Në retrospektivë janë përfshirë edhe vepra që rikthejnë momente të rëndësishme të krijimtarisë së tij. 

Ekspozita është kuruar nga familja e artistit dhe do të qëndrojë e hapur deri më 20 nëntor.