Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati lëvdohet me rritje ekonomike, Bajrami ia kujton inflacionin

Hykmete Bajrami, Hekuran Murati

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës ka shënuar performancë pozitive në tremujorin e parë të vitit, duke theksuar se rritja ekonomike prej 5.43 për qind dëshmon përshpejtimin e aktivitetit ekonomik pavarësisht sfidave globale dhe blloku opozitar, që sipas tij, e dërgoi vendin në zgjedhje të panevojshme.. E në një reagim ndaj kësaj deklarate, kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se qytetarët nuk po e ndjejnë rritjen ekonomike, por inflacionin.

Në një shkrim në Facebook të shtunën, Murati ka thënë se një nga faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje është edhe fitimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 me 51.1 për qind të votave, çka sipas tij, ka rritur edhe besimin e bizneseve për të investuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka akuzuar opozitën për krijimin e një bllokade politike që, sipas tij, e ndërpreu këtë trend pozitiv dhe e çoi vendin në zgjedhje të panevojshme.

“Bllokada e bllokut opozitar që na dërgoi në zgjedhje të panevojshme e ndërpreu këtë trend në gjysmë. Se sa do të jetë kostoja në ekonominë e vendit si pasojë e kësaj sjelljeje, mbetet të shihet kur të publikohen të dhënat për tremujorin e dytë”, ka shkruar Murati.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Bajrami e LDK-së, e cila ka thënë se treguesit ekonomikë nuk mund të interpretohen pa marrë parasysh ndikimin e inflacionit.

Sipas saj, rritja ekonomike prej 5.43 për qind duhet parë në raport me inflacionin prej 7.5 për qind, pasi rritja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve.

“Në ekonomi, statistikat e njëanshme nuk e tregojnë realitetin. Kur çmimet rriten më shumë se të ardhurat, fuqia blerëse bie. Qytetari nuk e ndjen rritjen ekonomike, e ndjen shtrenjtimin”, ka shkruar Bajrami.