Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave mbi aktivitetin ekonomik të tremujorit të dytë të vitit janë bërë sebep për përplasjen nga distanca mes dy deputetëve të taborëve të ndryshëm politikë. Hekuran Murati i LVV-së e paraqiti të dhënën për rritje reale ekonomike në nivel të 4.58 për qind si demantim të pretendimeve nga opozita. E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ia përmendi rritjen e çmimeve
Aktiviteti ekonomik gjatë muajve prill-qershor ka shënuar rritje reale në vlerë 4.58 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, kanë treguar të dhënat më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave (ASK).
Në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit, inflacioni në muajin gusht figuron se ka arritur në 4.5 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
E këto të dhëna të shtunën kanë nxitur përplasje nga distanca mes ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.
Në një postim në Facebook, Murati i ka kualifikuar të dhënat e ASK-së mbi rritjen reale ekonomike si demantim të pretendimeve nga opozita.
“Ekonomia e vendit po vazhdon rritjen – Bruto Produkti Vendor rritet me 4.58% në TM2 2025. ASK-ja dje ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor), e cila shënon 4.58%, e që krahasuar me TM2 2024, e cila ishte 4.32%, lë të kuptohet se kemi përshpejtim të rritjes. Edhe kësaj radhe faktet dhe shifrat demantojnë pretendimet opozitare për kahen ekonomike të vendit”, ka shkruar Murati.
E, në reagimin e saj, deputetja Bajrami e ka vënë në pah të dhënën për rritjen e çmimeve në treg.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024. Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën”, ka shkruar ajo.
Bazuar në parime ekonomike, rritja reale dallon prej asaj nominale dhe e eliminon efektin e inflacionit, teksa e tregon vetëm rritjen e vërtetë të sasisë së mallrave e shërbimeve të prodhuara.
Sipas ASK-së, rritje reale në këtë tremujor kanë shënuar disa aktivitete ekonomike, përfshirë ndërtimtarinë, financat e shërbimet profesionale, ndërsa rënie janë regjistruar në sektorë si industria nxjerrëse e energjia elektrike.