Arbëri

Bajrami: Tregoni Muratit që qarkullimi i bizneseve rritet nga rritja e çmimeve

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami - Ministri aktual i Financave, Hekuran Murati

Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami janë përplasur në distancë lidhur me qarkullimin e bizneseve dhe rritjen e çmimeve. 
Murati në një status në Facebook ka shkruar se qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rekord prej 10.7 miliardë eurove. 

Kjo sipas tij, paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ka thënë se ishte 9.7 miliardë euro. 

Për këtë Murati ia ka lënë meritat qeverisë. 

Atij i ka reaguar Bajrami duke thënë se në rritjen e qarkullimit të bizneseve ka ndikuar rritja e çmimeve. 

“Tregoni ekonomistit - interpretues të kushtetutës se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike. Nëse ai nuk pajtohet me këtë, le të na tregojë se qarkullimi i cilave kompani është rritur më së shumti gjatë mandatit të tyre. Ju tregoj unë: qarkullimi i kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë”, ka shkruar Bajrami, duke thënë se është gati që të përballet me Muratin lidhur me këto “fakte dhe koncepte”.