Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, janë përplasur sërish në rrjetet sociale. Kësaj radhe lidhur me mosmiratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025.
Murati ka akuzuar LDK-në se po e bllokon buxhetin tash kur Kuvendi është konstituar, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike.
“LDK-ja që deri dje ankohej për buxhetin e Prishtinës për 2025, tash që Kuvendi është konstituuar, po refuzon me e miratu atë buxhet. Janë me miliona euro fatura të papaguara si pasojë e mungesës së buxhetit, e shumë punëtorë të ndërmarrjeve publike janë pa paga. Kush është bllokuesi i buxhetit?”, ka shkruar Murati.
Në kundërpërgjigje, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka akuzuar ministrin në detyrë se po përdor propagandë dhe manipulim publik për të mbuluar vonesat e veta në procedimin e buxhetit.
“Hekuran Murati e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës 46 ditë në sirtar dhe nuk e ka dërguar në Kuvend për aprovim. Buxheti është miratuar në Kuvendin Komunal më 9 dhjetor 2024 dhe i është përcjellë Ministrisë së Financave më 17 dhjetor, por Murati e ka dërguar në Kuvend vetëm më 31 janar 2025, në kulmin e fushatës zgjedhore”, ka deklaruar Bajrami, duke i bashkangjitur edhe disa dokumente.
Ajo ka thënë se pretendimet e Muratit për bllokim nga LDK-ja janë “të pavërteta dhe të orkestruara për fushatë”, duke shtuar se Kuvendi nuk mund ta miratojë buxhetin pasi ende s’ka komisione parlamentare.
“E qysh kalohet buxheti pa u formu komisionet parlamentare? Dhe qysh formohen komisionet pa u ditur kush është pozita e kush opozita?”, ka pyetur ajo, duke i bërë thirrje Muratit që “të mos mashtrojë qytetarët në Facebook”.
Bajrami e përfundoi reagimin duke thënë se qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do ta tregojnë të dielën kush është bllokuesi në Prishtinë, ndërsa i kërkoi ministrit në detyrë që “të lirojë buxhetet e tjera, përfshirë atë të RTK-së, siç kishte bërë më herët”.
Pas reagimit të Bajramit, Murati shkroi edhe një herë në Facebook, duke thënë se buxheti i Prishtinës nuk ka kaluar asnjë ditë në sirtar por duhet të verifikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ka shtuar se tjetri problem ka qenë që buxheti ka ardhur në kohën e festave të fundvitit.
“Hykmete, u demantuat edhe vetë që Qeveria gjoja nuk e paska përcjellë në Kuvend buxhetin e Prishtinës. Pra e paska përcjellë. Buxheti i Prishtinës nuk e ka kaluar asnjë ditë në sirtar, por sikurse çdo buxhet tjetër, materiali fillimisht verifikohet nëse është në përputhje me legjislacionin nga Departamenti i Buxhetit në MFPT, e pastaj përcillet për miratim në Qeveri e Kuvend. Me logjikën tënde, edhe vetë Përparimi e paska mbajtë në sirtar buxhetin nga data 9 dhjetor deri me datën 17 dhjetor, apo jo? Shto këtu edhe faktin që materiali është dorëzuar në kohën e festave të fundvitit, dhe gati gjysma e ditëve që paske numëruar ose kanë qenë festa zyrtare ose janë ditë fundjave. Siç e kam sqaruar tash e disa herë, problemi nuk është tek procedurat standarde, por tek vonesa përtej afatit ligjor që ishte 30 shtatori. E madje vonesa ka qenë edhe përtej datës kur ishte miratuar Ligji i Buxhetit në lexim të dytë, me 22 nëntor. Por, e gjitha kjo është e shkuara. Pse nuk po e miratoni tash buxhetin e Prishtinës për vitin 2025 Hykmete? Arsyetimi me Komisionet Parlamentare nuk qëndron. Mund të formohen vetëm Komisionet e Përhershme, për buxhet, legjislacion, integrime, dhe të drejta të komuniteteve. Këto komisione mjaftojnë të trajtohen edhe Buxheti për 2025 për tri komunat, edhe Ligji i Buxhetit 2026, e edhe buxheti për RTK-në”, ka shkruar Murati.