Gjatë kësaj jave në Komunën e Gjakovës janë administruar 1 mijë e 240 doza të vaksinës anti-COVID. 152 persona po 12.25 për qind janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, derisa me dozë të dytë 1 mijë e 88 persona, apo 87.41 për qind.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku, i ka thënë KOHËS se deri më tani gjithsej janë administruar 92 mijë e 799 doza.
Përkundër vaksinimit të një numri të konsiderueshëm të qytetarëve të Gjakovës, ekspertët shëndetësorë thonë se në këtë komunë nuk ka vend për relaksim të masave.
Spahiu-Shllaku ka theksuar se pati ka rënie të interesimit për vaksinim, autoritetet nuk duhet t’i lirojnë totalisht masat kufizuese, por këtë ta bëjnë në mënyrë graduale.
"Ekziston edhe rreziku i infektimit nëse kemi lirim total të masave, koha e ftohtë, tubimet parazgjedhore, e shumë faktorë të tjerë", ka përmendur ajo.
Edhe Hilmi Shala, drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës, "Isa Grezda" shfaqë druajtjen e tij në lidhje me rënien e interesimit për vaksinim në Gjakovë.
"Virusi është në mesin tonë, nuk ka vend për relaksim, vaksinimi është zgjidhja e vetme", ka thënë për KOHËN, drejtori Shala të shtunën.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik(IKSHP) nga fillimi i pandemisë në komunën e Gjakovës me virusin Covid-19 janë infektuar 8 mijë e 31 persona, nga të cilët 7 mijë e 801 janë shëruar ndërsa 230 raste mbeten aktive.
Nga fillimi i pandemisë ndërkaq sipas të njëjtit burim betejën me këtë virus e kanë humbur 227 qytetarë nga Gjakova.