Arbëri

Tre pacientë nga Shqipëria po trajtohen në Spitalin e Gjakovës

Në Spitalin Rajonal "Isa Grezda" në Gjakovë janë të shtrirë 3 pacientë me COVID-19, ka njoftuar Hilmi Shala, drejtor i këtij institucioni shëndetësor.

Të tre pacientët janë me oksigjenoterapi por sipas drejtorit Shala, pacientët janë nga Shqipëria.

"Gjendja është qetësuar, jemi kthyer në normalitet të plotë", ka thënë drejtori Shala për KOHËN.

Në ndërkohë, drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka njoftuar të premten se në këtë komunë e cila ka rreth 94 mijë banorë, deri tani janë administruar 86 mijë e 740 doza të vaksinave.

Me 2 doza janë vaksinuar 38 mijë e 849 persona, ndërsa me një dozë 47 mijë e 891 qytetarë.

Ndryshe në Gjakovë që nga fillimi i pandemisë, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik(IKSHP) janë infektuar me COVID-19, 8 mijë e 21 persona. Nga ata, 7 mijë e 725 janë shëruar, ndërsa raste aktive janë edhe 296. Fatkeqësisht betejën me virusin sipas të dhënave të IKSHP-së, e kanë humbur 227 persona nga Gjakova.