Arbëri

Mbeturina në vend të tullave mbi gurthemelin e çerdhes në Batllavë

Pas më shumë se një muaj që kur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e shfaqi si sukses vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e çerdhes në Batllavë të Podujevës, as një punim nuk është bërë. Vendi është shndërruar në deponi të mbeturinave. Në ministri nuk dhanë arsye për mosfillimin e punimeve. E kompania kontraktuese tha se kjo ka ndodhur pasi janë në pritje të rezultateve të matjeve gjeomekanike.

Mbeturinat e kanë mbuluar gurthemelin e çerdhes në fshatin Batllavë të Podujevës, i cili u vendos në nëntor të vitit të shkuar.

Me ceremoni zyrtare pati marrë pjesë vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci së bashku me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e kryetarin e komunës, Shpejtim Bulliqi, e u pati kumtua si sukses i pushtetit.

Që nga ajo kohë as një punim nuk është kryer në këtë pjesë.

Përfaqësuesi i banorëve të Batllavës, Haki Statovci, thotë se duhet të nisë menjëherë ndërtimi i çerdhes, pasi do të rezultonte në ndaljen e shpërnguljes së banorëve nga fshati.

“Do të shërbejë për fëmijët për nënat rreth fshatit Batllavë, ku ato do të gjejnë shkollim e strehim fëmijët dhe aty do t’iu jepet shanse nënave që të shkojnë në punë më lirshëm dhe fëmijët t’i kenë të sigurt në çerdhe...Si në tërë republikën e Kosovës qytetarët apo më mirë të themi migrimi ka ndodhur nga vendet rurale drejt qendrave urbane sidomos rreth Prishtinës, mirëpo kjo do të ndikojë dhe është një objekt që do të rregullojë kushtet dhe migrimi jashtë fshatit Batllavë ka me qenë më i vogël”, thekson Statovci.

VIDEO:

Në Komunën e Podujevës thanë se janë njoftuar nga Ministria e Arsimit se arsyeja e mosfillimit të punimeve për më shumë se një muaj është për shkak të temperaturave të ulëta atmosferike. E ministrja Nagavci nuk ishte e qasshme në telefon gjatë ditës së hënë.

Në kompaninë e kontraktuar për t’i kryer punimet “Hidro Project” thanë për KOHËN se punimet nuk kanë filluar, pasi janë në pritje të rezultateve nga matjet gjeomekanike.

Rreth 450 mijë euro është kostoja për ndërtimin e kësaj çerdheje, e cila do të ketë hapësirë për 60 fëmijë. Afati për ndërtimin e çerdhes është 24 muaj.