Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi një muaj nga vendosja e gurthemelit të çerdhes në Batllavë, MASHTI: Punimet nisin së shpejti

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dalë me njoftim për mosfillimin e punës në ndërtimin e çerdhes në Batllavë të Podujevës, edhe pas më shumë se një muaji që kur është vendosur gurthemeli i saj. Sipas MASHTI-t punimet do të fillojnë së shpejti.

KOHA të hënën ka raportuar se si pas më shumë se një muaji që kur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka shfaqur si sukses vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e çerdhes, as një punim nuk është bërë.

Në Ministri të hënën nuk kishin dhënë arsye për mosfillimin e punimeve, ndërkohë që nga kompania kontraktuese kishin thënë se kjo ka ndodhur pasi janë në pritje të rezultateve të matjeve gjeomekanike.

Një ditë pas raportimit të KOHËS, Ministria në një njoftim ka thënë se punimet do të fillojnë së shpejti.

“Operatori Ekonomik na ka informuar se për shkaqe subjektive, deri më tani nuk ka mundur të fillojë me punime dhe se punimet do të fillojnë së shpejti. Objekti i çerdhes do të ndërtohet në vendin e caktuar tashmë nga Komuna e Podujevës. Investimi në projektimin dhe ndërtimin e kësaj çerdheje është nga MASHTI, bazuar në kontratën e nënshkruar në korrik të vitit të kaluar me Operatorin Ekonomik ‘Hidro Project’, në kohëzgjatje prej tri vitesh”, thuhet në reagimin e MASHTI-t.

Më tej thuhet se Divizioni për Zbatimin e Projekteve është duke e përcjellë me vëmendje implementimin e kontratës dhe në rast të zvarritjeve në punime do të ndërmerren masa ligjore.

 

Artikuj të ngjashëm