Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maturantët e Ferizajt ndjehen të diskriminuar, s’po u organizohet ekskursion në Shqipëri

Pakënaqësi të shumta ka ngjallur te maturantët e Ferizajt, vendimi që të anulohen ekskursionet për në Shqipëri.

Anulimi i shëtitjeve në shtetin shqiptar, të cilat ishin planifikuar të ndodhnin në muajin maj, është cilësuar i padrejtë nga nxënësit e kësaj komune, raporton KTV.

Ata janë të zhgënjyer, sepse udhëtimin që e kanë pritur me vjet nuk do ta realizojnë.

Por, zyrtarët komunalë thonë se kanë marrë shumë kërkesa nga prindërit që ekskursionet të anulohen, pasi nuk janë të kënaqur me organizimin e tyre.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se vendimi nuk do të tërhiqet dhe i njëjti është marrë edhe nga Këshilli i prindërve.

Komuna kishte anuluar shëtitjet në Shqipëri edhe shtatorin e vitit të kaluar, për çka maturantët e Ferizajt kishin protestuar disa herë.