Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se sulmi i kryer në kanalin e Ibër-Lepencit ka synuar të shkaktojë gjunjëzim të shtetit të Kosovës e edhe katastrofë humanitare. Ai ka deklaruar të hënën në Interaktiv të KTV-së se ky sulm ishte më i madhi ndonjëherë, por jo vetëm në Kosovë.
Sipas Maqedoncit, sulmi kishte synim shkatërrim masiv me dëme të paparashikueshme.
“Një sulm i madh që ndoshta jo vetëm Kosovë, por edhe më gjerë. Një prej sulmeve terroriste që kishte synim shumë shkatërrues. Mund të jetë ndër sulmet që kishte qëllim të shkaktonte dëme të paparashikueshme. Besoj se qëllimi taktik i këtij sulmi ka qenë të mohojë shërbimet esenciale, përfshirë energjinë elektrike e ujin, e si qëllim strategjik nga ky sulm u tentua të gjunjëzohet shteti e të destabilizohet jo vetëm Kosova, duke shkaktuar katastrofë humanitare”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka shtuar se po të mos kishte reagim të sinkronizuar të të gjitha institucioneve për sanimin e situatës, gjendja do të ishte edhe më e rënduar.
“...Gjetjet e armëve dhe arrestimi i shumë personave ndër vite ka qenë masë parandalimi, jo gjithmonë sulmet terroriste mund të parandalohen. Suksesi qëndron në befasinë dhe metodat që përdorin grupet terroriste...Gjithë kjo përfundon kur para drejtësisë vendosen fajtorët, kriminelët e terroristët. Parandalimi i këtyre akteve s'është i lehtë, nuk mund të jetë fokusi vetëm te kanali i Ibër Lepencit, e thashë gati se në të gjitha vendet e Evropës perëndimore ka pasur shumë herë akte terroriste që kanë shkaktuar dëme e vrasje në masë. Parandalimi s'është i lehtë, por jo i pamundshëm”, është shprehur Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes ka theksuar se autoritetet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për ta dëshmuar se Serbia ka gisht në këtë sulm të kanalit.
“Sulmi ndërlidhet me sulmet ruse në Ukrainë, me sulmet ajrore që ndodhën më 28 nëntor. Për shkak se është e njëjta natyrë e sulmit, akti i njëjtë, qëllimi i njëjtë dhe koha është shumë e përafërt mes këtyre sulmeve”, ka thënë ai.
-
Maqedonci: Po synojmë të hapim një fabrikë për prodhimin e municioneve
-
Prokurori: Kemi prova që tregojnë se Serbia përgatiti sulmin terrorist në Ibër-Lepenc
-
Të akuzuarit për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit thonë se janë të pafajshëm
-
Kurti: Serbia arriti ta ndalojë përshkallëzimin e brendshëm përmes sulmit në Ibër-Lepenc
-
Aktakuzë ndaj tre personave për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”