Arbëri

Kurti: Serbia arriti ta ndalojë përshkallëzimin e brendshëm përmes sulmit në Ibër-Lepenc

Sulmi terrorist ne Zubin-Potok

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka publikuar një grafikë me anë të së cilës thotë se ekspertiza forenzike ndërkombëtare është në një linjë me ato të institucioneve të Kosovës në lidhje me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kurti thotë se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit në Kosovë, kishte ndodhur nga Serbia për ta ndaluar përshkallëzimin e brendshëm atje përmes protestave të vazhdueshme që po përballej shteti serb pas tragjedisë në Novi Sad.

Në grafikën e publikuar tregohet që më 29 nëntor 2024 kur edhe ndodhi sulmi në Ibër Lepenc, shihet vija e lakimit në reagimin qytetar në Serbi.

“Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj tre shtetasve serbë, dy prej të cilëve pjesëtarë të strukturave ilegale, të lidhur me institucionet e sigurisë së Serbisë, konfirmon se ky nuk ishte një akt i izoluar, por një përpjekje e qëllimshme e Serbisë për sabotimin e Republikës së Kosovës në përmasa të gjera. Një element kyç është edhe fakti se ekspertiza ndërkombëtare forenzike konstaton që eksplozivi me të cilin është kryer sulmi terrorist i asaj nate është me origjinë ushtarake. Si aktakuza ashtu edhe të gjeturat e ekspertizës ndërkombëtare forenzike janë në linjë të plotë me vlerësimet fillestare të institucioneve tona të sigurisë të cilat i pata prezantuar një vit më parë në konferencë të jashtëzakonshme për media. Grafiku në këtë postim tregon qartë se sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 përbën edhe pikën e lakimit në reagimin qytetar në Serbi, i cili po përshkallëzohej me shpejtësi që nga 1 nëntori 2024, pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Sipas të gjitha indikacioneve, regjimi i Aleksandar Vuçiqit, i përballur me një valë protestash në rritje që rrezikonin drejtpërdrejt stabilitetin e tij politik, zgjodhi të godasë Kosovën dhe të eksternalizojë krizën e brendshme”, thuhet në postimin e Kurtit në Facebook.

Tutje Kurti ka thënë se përveç zhvendosjes së fokusit nga Beogradi në Kosovë dhe ndalimit të mëtejshëm të përshkallëzimit, qëllimi i sulmit ishte që edhe të krijohej pasiguri të qytetarët e komunave veriore.

“Përmes një sulmi të kryer nga struktura të ndërlidhura me shërbimet ushtarake të inteligjencës, tre javë pas tragjedisë në Novi Sad dhe dhjetë ditë para protestës së parë të paralajmëruar në Beograd, u tentua zhvendosja e krizës nga Beogradi drejt veriut të Kosovës. Sepse qëllimi i sulmit përveç se të fuste Kosovën në kolaps energjetik dhe të shërbimeve esenciale, ishte edhe të krijohej pasiguri te qytetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Sulmi ndaj kanalit të ujit në Varagë, Zubin Potok, ka ndikuar në ngurtësimin e reagimit qytetar në Serbi, duke ndalur përshkallëzimin e mëtejmë të protestave, dhe ky duket të ketë qenë qëllimi i dytë i pushtetit në Serbi”, thuhet mes tjerash në reagim.

Kurti ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtar që këto veprime të Serbisë të mos trajtohen si incidente të izoluara sigurie por që nevojiten sa më shpejt hapa konkretë e sanksionues në mënyrë që të parandalohet përsëritja e tyre.

Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes në shumë komuna, meqë nëpërmjet tij shpërndahet uji prej liqenit të Ujmanit deri te dy rajone: Ai i Mitrovicës dhe i Prishtinës.

Autoritetet intervenuan menjëherë, me qëllimin për ta evituar dëmin në Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila nëpërmjet këtij kanali siguron ujin për ftohje.

Sulmi terrorist në Varagë të Poshtme të Zubin Potokut është i dyti i përmasave të mëdha, pas atij në Banjskë më 24 shtator 2023.

Për të dyja sulmet, institucionet e Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë.