Arbëri

Maqedonci del me sqarim për çështjen e shujtave për ushtarët e FSK-së

Ejup Maqedonci

Foto: Alban Bujari

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë sqarim në lidhje me çështjen e shujtave për ushtarët e FSK-së. 

Maqedonci ka thënë se këto ditë janë bërë përpjekje për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Maqedonci ka treguar pse, sipas tij, janë krijuar situata jo të mira dhe probleme të vazhdueshme ndër vite në lidhje me këtë çështje. 

“Që nga themelimi i FSK-së në vitin 2009, pothuajse çdo herë pas përfundimit të kontratave trevjeçare, si rezultat i ankesave nga operatorët ekonomikë të cilat janë adresuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, janë zhvilluar procedurat për lidhjen e kontratave emergjente. Vetëm nga viti 2015 e deri më tani janë dhënë 10 kontrata sipas procedurave ekstrem emergjente. Këto çështje kanë krijuar situata të jo të mira dhe probleme të vazhdueshme, duke rrezikuar integritetin e proceseve dhe që si rezultat kanë ndikuar në dëmtimin e imazhit publik të FSK-së dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se po synohet të minimizohen ndikimet negative në furnizim dhe shërbim, duke garantuar që situata të tilla të mos prekin më efektivitetin e përgjithshëm dhe performancën operacionale të personelit të FSK-së.

“Jemi të vetëdijshëm se aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi kërkojnë afate të caktuara kohore për procesin e rekrutimit të personelit profesional për kuzhinat e FSK-së. Megjithatë, do të zbatojmë me përpikëri të gjitha procedurat ligjore të prokurimit për furnizimin me ushqim në kazermat e FSK-së. Pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që e kemi bërë me datën 10 tetor, do të vazhdojmë të ndjekim hapat e nevojshëm për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses deri në finalizimin e plotë të rekrutimit të personelit civil të specializuar, i cili do të integrohet në kuadër të FSK-së. Nëpërmjet këtyre masave, ne synojmë të forcojmë kapacitetet tona operacionale, duke garantuar që çdo pjesëtarë i FSK-së të marrë shërbimin e duhur dhe cilësor që meriton. Kjo qasje do të ndihmojë në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe efikas, duke kontribuar kështu në rritjen e imazhit të FSK-së dhe në besimin e publikut në institucionet tona”, është shprehur tutje ai. 

Ky njoftim nga ana e Maqedoncit u dha pasi presidentja Vjosa Osmani në fundjavë kërkoi raport të detajuar në lidhje me shqetësimet e ngritura rreth furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së.