Sociologu Fadil Maloku e ka quajtur flakaresh dhe alarm, pezullimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia bënë të premten dialogut strategjik me Kosovën. Sipas tij, vendimi do të sjellë pasoja në të ardhmen për Kosovën.
“Është një flakaresh, një lloj alarmi nga kreatorët apo arkitektët e kësaj shtetësie që po e ndërtojmë, në kuptimin që pezullimi sa kam mundur ta vërej, është një sintagmë e cila iu dedikohet vendeve dhe shteteve që kanë probleme me implementimin e ligjeve, sigurinë dhe stabilitetin”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së të premten.
Maloku ka thënë se flakareshi s’është për njërin kah politik, por vërejtje e madhe për të gjitha problemet që i ka Kosova. Sipas tij, me këtë vendim, Kosova do të futet në një krizë tjetër.
“Atë të legjitimitetit dhe legalitetit, krizë që mund të prodhojë situata të pakëndshme për shkak se pezullimi i adreson kryesisht tri komponentë - sigurinë, stabilitetin rajonal dhe lokal, u drejtohet problemeve që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara e që ende s’po zbatohen sipas SHBA-së dhe e treta me sigurimin e ligjit ku norma e sundimit të ligjit është standard dhe levë demokratike ku shoqërohet me transparencë, llogaridhënie, përgjegjësi si përcjellëse të kësaj problematike”, ka thënë ai.
Sipas tij, politikanët në Kosovë në vazhdimësi e kanë përdorur SHBA-në vetëm për të mirëmbajtur pushtetin. Megjithatë, sipas tij, vendimi i ri do të lëkundë pushtetmbajtjen e shumë kalkulime politike do të bien në ujë. Testi i parë për këtë, sipas tij, do të jenë zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për një kohë të pacaktuar. Në njoftimin e publikuar në Facebook, Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi që veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. E ky vendim i SHBA-së është përcjellë me reagime të shumta, përfshirë nga presidentja Vjosa Osmani, spektri opozitar politik e shoqëria civile.