Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), e quajti goditje të rëndë pezullimin e dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fillimisht, Bugaqku tha se nuk ka sens të konsiderohet Kuvendi i konstituuar derisa nuk ka përfaqësues nga pakicat, duke pasur parasysh rëndësinë e kryesisë.
“Nuk ka sens, as logjik e as juridik të konsiderohet që Paralamenti si institucion kushtetues është i konstituum ani pse rrjedhimisht nuk ka përfaqësim të një komuniteti të caktuar në kryesinë e Kuvendit”, tha Bugaqku në “Tempus“.
Hulumtuesi i KDI-së tha se kjo është një politikë e gabuar e cila po i kushton Kosovës edhe në imazhin ndërkombëtar, duke theksuar ndërprerjen e dialogut strategjik nga SHBA-ja, e cila tha se është një goditje e rëndë derisa përmendi faktin se pa mbështetjen e SHBA-së, Kosova nuk mund të funksionojë.
“Mendoj se është politikë e gabuar edhe për faktin se unë mendoj se kjo po na kushton edhe në imazhin tonë ndërkombëtar. Ne kemi masa dhe sanksione, së fundmi SHBA-të e pezulluan një dialog strategjik me Kosovën dhe besoj se është një goditje e rëndë që i bëhet këtij shteti dhe këtij populli”, tha Bugaqku.
Bugaqku theksoi se me sa duket nuk e kemi të qartë bazamentin e Kushtetutës, pasi që sipas tij, duhet të kuptojmë se përderisa e kemi këtë Kushtetutë, përfaqësimin e minoriteteve- kushdo qofshin ato, e kemi të garantuar. Tha se Kushtetuta qartë përcakton se minoritetet i kanë vendet e garantuara.
Po ashtu, Bugaqku foli edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ne ekzistojmë për faktin se SHBA-të kanë kontribuar që ne të ekzistojmë si shtet, së pari duke fitu lirinë dhe së dyti duke e krijuar pavarësinë, e cila sot e ka kriju një shtet që është njohur nga mbi 100 vende”, tha Bugaqku. /BetimipërDrejtësi
