Autoritetet komunale të Malishevës kanë kërkuar nga niveli qendror që repelimi i kafshëve, si masë parandaluese ndaj virusit të Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), të kryhet me kohë. Ata kanë përkujtuar se zbatimi i kësaj mase ka dështuar në vitin e kaluar.
Njëkohësisht i kanë bërë thirrje Këshillit ndërministror për luftimin dhe parandalimin e EHKK, që t’i autorizojë organet kompetente për zbatimin e masave të duhura parandaluese, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zyra Komunale për Informim, të hënën, ka njoftuar se nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të drejtorëve, ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të kryejë repelimin kafshëve, si masë parandaluese ndaj virusit të Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), pasi vitin e kaluar ka dështuar në kryerjen e këtij obligimi.
Në komunikatën e ZI-së, gjithashtu, theksohet se nënkryetari Berisha ka kërkuar nga “Këshilli Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e EHKK-së, që sa më shpejt të mbajë takim dhe t’i autorizojë organet kompetente për zbatimin e masave parandaluese në raport me EHKK-në, pasi vitin e kaluar ka dështuar repelimi i kafshëve, si njëra prej masave më efektive në parandalimin e këtij virusi”.
Berisha ka udhëzuar edhe sektorin komunal të shëndetësisë, që të vazhdojë me fushatat e vetëdijesimit dhe zhvillimin e procedurave për spërkatjen e zonave endemike, si masa parandaluese.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)