Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Majko: Pyetja më e rëndë është pse në Hagë humbëm betejën me Serbinë

Pandeli Majko

Ish-kryeministri i Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë, Pandeli Majko, ka reaguar pas vendimeve dënuese të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke ngritur pyetjen “Ku gabuam?”. Ai ka thënë se vendimet e fundit duhet të shërbejnë si moment reflektimi për politikën shqiptare dhe se përgjigjet që nuk jepen sot do të kërkohen nga brezat e ardhshëm. 

Majko ka argumentuar se procesi në Hagë nuk duhet parë vetëm si çështje drejtësie, por edhe në kontekstin e betejës politike dhe historike rreth Kosovës pas luftës. 

Sipas tij, në akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së janë ndërthurur zhvillimet dhe përplasjet politike të pasluftës, ndërsa Serbia, sipas tij, e ka shfrytëzuar procesin për të ndikuar në mënyrën se si do të shkruhet historia e luftës në Kosovë.

“Pyetja më e rëndë është PSE në Hagë humbëm betejën me Serbinë? Përgjigjja se na ‘tradhtuan’ është veç ngushëllim!”, ka shkruar Majko, duke kërkuar që reflektimi për atë që ka ndodhur të jetë kolektiv.

Shkrimi i plotë i Majkos:

KU GABUAM… ?

Pas deklarimit të vendimeve të Hagës në dënimin për “krime lufte” të drejtuesve të UÇK-së, vjen një reflektim i cili bllokohet nga pyetja “Ku gabuam?”…

Dënimet e fundit në Hagë e kanë kthyer politikën shqiptare në një varrezë ambicjesh!

Prezenca e politikanëve sot, i ngjan shpejgimit dorëzues se “… në fund, nuk munda të bëj asgjë, veç të isha i pranishëm!”

Në të tilla momente njeriu sajon histori për ti dhënë kuptim të shkuarës... derisa trillimi zëvendëson të vërtetën! Ky është ngushëllim por jo justifikim!

Ngushëllimi i parë është ai që UÇK doli e pastër nga gjykimi në Hagë! UÇK po rikonsiderohet si një “ushtri e mirë” por me drejtues të akuzuar për krime lufte!…

Kriza që prodhoi Haga, nuk është vetëm politike! Ajo do të ngrejë pyetje të vështira nga shqiptarët e rinj për këtë trashëgimni e cila po legalizohet në Hagë!

Përgjigjet që nuk thuhen sot, do të kuptohen nesër!

“Krimet e luftës” për të cilat akuzohen drejtuesit e UÇK-së janë kryesisht të periudhës së PAS LUFTËS, mbas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, ku Jugosllavia e mbetur, firmosi humbjen e Luftës!

“Krimet e luftës” janë pjesë e betejave politike se kush do të drejtonte Kosovën PAS LUFTES!

Tek “krimet e luftës” u paketuan dëshmitë e spiunëve të Serbisë me ata që u përplasën politikisht me ish drejtuesit e UÇK-së kryesisht, PAS LUFTES!

Tek “krimet e luftës” u ndërlidhën akuzat për korrupsion për ish drejtues të UÇK-së PAS LUFTËS! 

Për ata që vlerësojnë se me gjykimin e Hagës për shpalljen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit si “kriminel lufte” është vendosur drejtësia kanë një gabim në interpretim! 

Serbia si aktorja më aktive e gjykatës së Hagës për dënimin e shqiptarëve nuk i intereson se cfarë ka ndodhur PAS LUFTËS! Ajo kërkon një justifikim substancial për domethënien e krimeve të saj shtetërore karshi shqiptarëve!

Serbët janë një komb i edukuar me narcizisëm! Serbia dëshiron të fitojë LUFTËN e humbur në librat e historisë! 

Vendimi për “krime lufte” për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë të mjaftueshme për “revanshin” në betejën e historisë së shkruajtur!

Vini re që dënimet maksimale janë për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin të cilat kanë qenë fytyrat më publike të UÇK-së gjatë Luftës! 

Krenaria në historinë e shqiptarëve pas Skënderbeut nuk ka fytyra udhëheqësish! Të gjithë kanë nga një “bisht” me akuza për tradhëti apo diktatorë!

Kjo është pjesë e dramës shqiptare dhe deformimit që kundërshtarët e tyre gjeopolitik kanë nxitur! Por ajo është pasojë edhe pasionit pa kufizime dhe egos së drejtuesve të një kombi me histori shtetërore modeste! 

Deformimet për ti trajtuar shqiptarët si komb i dështuar hyn tek një teknikë historike që nuk shkruhet por nënkuptohet! 

Luftërat serbe fillojnë në libra për të vazhduar në realitet! Vendimi i Hagës ishte i rëndësishëm për “librin” e ri të RIKTHIMIT të Serbisë në Kosovë…

Ndaj sot, reflektimi se KU GABUAM duhet të jetë kolektiv!

Pyetja më e rëndë, është PSE në Hagë humbëm betejën me Serbinë? Përgjigja se na “tradhëtuan”… është veç ngushëllim!