Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lutfiu: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ilegalët, humbje e shpresës për shqiptarët në Serbi

Nevzad Lutfiu

Nevzad Lutfiu, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, ka thënë se lëshimi pe i Qeverisë së Kosovës për serbët që punojnë në institucionet paralele në Kosovë, është humbje e shpresës për shqiptarët në Serbi.

Në një shkrim në Facebook, Lutfiu ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës të shtunën është jo i duhur. Ai ka thënë se vetëm reciprociteti do të mund të ndalte diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i njohur dokumentet e lëshuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë, konsideroj se është veprim jo i duhur. Serbia ka mbi një dekadë që nuk i njeh diplomat e lëshuara nga universitetet e Kosovës, që do të thotë se mbi 10 gjenerata profesionistësh kanë migruar nga vendi ynë si rezultat i këtij veprimi. Kam qenë mbështetës i madh i kauzës së kryeministrit në lidhje me reciprocitetin dhe besoj se vetëm një kauzë e tillë e ndalon diskriminimin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Zmbrapsja nga kjo kauzë do të thotë humbje e shpresës për shqiptarët në Serbi”, ka shkruar ai në Facebook.

Atij i ka reaguar në komente Ragmi Mustafi, këshilltari politik i kryeministrit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Nuk është e vërtetë që Qeveria Kosovës ka vendim për njohjen e dokumenteve të lëshuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë. Madje hapur i ka çrrënjosur ato”, ka shkruar Mustafi.

Të shtunën, Qeveria e Kosovës u pajtua që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Lexo përditësimet tjera
Albin Kurti - Peter Sorensen

Ligji për të huajt nis së zbatuari me masa lehtësuese