Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ligji për të huajt nis së zbatuari me masa lehtësuese

Albin Kurti - Peter Sorensen

ilustrim

Qeveria është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lutfiu: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ilegalët, humbje e shpresës për shqiptarët në Serbi

1 muaj më parë / 14 mar 2026 23:07
Nevzad Lutfiu

Nevzad Lutfiu, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, ka thënë se lëshimi pe i Qeverisë së Kosovës për serbët që punojnë në institucionet paralele në Kosovë, është humbje e shpresës për shqiptarët në Serbi.

Në një shkrim në Facebook, Lutfiu ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës të shtunën është jo i duhur. Ai ka thënë se vetëm reciprociteti do të mund të ndalte diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i njohur dokumentet e lëshuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë, konsideroj se është veprim jo i duhur. Serbia ka mbi një dekadë që nuk i njeh diplomat e lëshuara nga universitetet e Kosovës, që do të thotë se mbi 10 gjenerata profesionistësh kanë migruar nga vendi ynë si rezultat i këtij veprimi. Kam qenë mbështetës i madh i kauzës së kryeministrit në lidhje me reciprocitetin dhe besoj se vetëm një kauzë e tillë e ndalon diskriminimin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Zmbrapsja nga kjo kauzë do të thotë humbje e shpresës për shqiptarët në Serbi”, ka shkruar ai në Facebook.

Atij i ka reaguar në komente Ragmi Mustafi, këshilltari politik i kryeministrit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Nuk është e vërtetë që Qeveria Kosovës ka vendim për njohjen e dokumenteve të lëshuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë. Madje hapur i ka çrrënjosur ato”, ka shkruar Mustafi.

Të shtunën, Qeveria e Kosovës u pajtua që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.

OVL-UÇK: Kurti po i bën kompromiset për të cilat të tjerët i akuzonte për tradhti

1 muaj më parë / 14 mar 2026 21:50
Kurti OVL Veteranet UCK Kurti - UCK

Foto-ilustrim: KOHA

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar hipokrizi politike të kryeministrit Albin Kurti për dakordimin që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe për automjete të nisë me lehtësira për serbët që punojnë në institucionet paralele apo që studiojnë në universitetin në veri.

Në një komunikatë për media, OVL-UÇK-së e ka cilësuar këtë vendim si “skandal të rëndë politik dhe moral”.

“Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon ashpër ndaj hipokrizisë politike të kryeministrit Albin Kurti, i cili për vite me radhë ka ndërtuar karrierën e tij mbi retorikë patriotike, ndërsa sot po konfirmohet sërish se në prapaskenë ka negociuar hapësira të reja për strukturat ilegale të Serbisë brenda shtetit të Kosovës. Është skandal i rëndë politik dhe moral që Kurti para qytetarëve dhe para botës deklaron se strukturat paralele të Serbisë janë shuar, ndërkohë që në realitet po krijon mekanizma që u japin atyre rol në zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës. Kjo nuk është politikë shtetformuese, por mashtrim i pastër ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë shtetit tonë”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka thënë se Qeveria Kurti po i bën kompromiset për të cilat të tjerët i ka akuzuar për tradhti kombëtare.

“Qeveria Kurti po e rikonfirmon vazhdimisht se e gjithë retorika e saj për “sovranitet” dhe “mbrojtje të shtetit” ka qenë vetëm propagandë për konsum politik. Në praktikë, kjo qeveri e ka izoluar Kosovën nga aleatët e saj kryesorë dhe tani po përfundon duke bërë pikërisht kompromiset për të cilat për vite të tëra i ka akuzuar të tjerët për tradhti kombëtare”, thuhet më tej në reagim.

Veteranët kanë thënë se nuk do të heshtin “përballë politikave të Qeverisë Kurti që relativizojnë sakrificën e luftës çlirimtare dhe që hapin derën për ndikimin e Serbisë brenda institucioneve të Kosovës”.

“Shteti i Kosovës nuk është pronë e asnjë qeverie dhe nuk do të lejojmë që ai të përdoret si instrument propagande për pushtet. Kosova është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe jo mbi pazare politike në prapaskenë. Çdo përpjekje për ta cenuar këtë sakrificë do të përballet me reagimin e veteranëve të UÇK-së dhe të të gjithë atyre që e konsiderojnë këtë shtet si amanet të luftës çlirimtare”, thuhet në reagim.

Të shtunën në mëngjes, Qeveria është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Rama: BE-ja të ecë përpara me aplikimin e Kosovës për anëtarësim

1 muaj më parë / 14 mar 2026 20:40
Albin Kurti Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se koordinimi i Kosovës për zbatimin e Ligjit për të huajt, duhet të përcillet me ecjen përpara të aplikimit të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në një shkrim në “X”, Rama ka vlerësuar se BE-ja duhet të tregojë guxim dhe se përfshirja e Ballkanit në BE është fitore e vetë Evropës.

“Ne mirëpresim koordinimin Kosovë-BE për Ligjin për të huajt. Shpërbërja e strukturave paralele është punë e vështirë. BE-ja duhet të tregojë guxim dhe t’i heqë masat ndëshkuese e të ecë përpara me aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së s’është bamirësi. Është fitore strategjike e vetë Evropës”, ka shkruar Rama.

Qeveria është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Kurti lëshon pe për ilegalët

1 muaj më parë / 14 mar 2026 19:03 Nga: Marigona Brahimi
Kurti-Sorensen

Foto: Arkiv

Një ditë para fillimit të zbatimit të Ligjit për të huajt, si dhe të atij për automjete, Bashkimi Evropian (BE) e ka dërguar në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, e i cili nuk është kthyer në Bruksel duarthatë.

Në takimin që në mëngjesin e së shtunës pati me kryeministrin Albin Kurti, ai shprehu kërkesë që implementimi i dy ligjeve të mos jetë i menjëhershëm por gradual, dhe të mos i ndërpresë shërbimet shëndetësore e arsimore për serbët lokalë. Këto shërbime merren në institucione ilegale që Serbia i mban në Kosovë.

Pas takimit me Kurtin dhe me shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, Sorensen kërkoi lehtësira për serbët.

“E konsiderojmë prioritet kyç që Qeveria e Kosovës t’u sigurojë leje qëndrimi punëtorëve dhe studentëve të përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, në mënyrë që të parandalohet çdo ndërprerje e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për të siguruar mosndërprerjen e shërbimeve, i kërkuam Kosovës të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15 mars 2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative”, ka thënë Sorensen, në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin Kurti dhe ambasadorin Orav.

Ligji për të huajt parasheh që të gjithë personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, përveç nëse kanë autorizim përkatës.

Megjithatë, pas takimit të së shtunës është vendosur që këto rregulla të mos zbatohen menjëherë për serbët e Kosovës pa dokumente kosovare. Ata do të kenë mundësi të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj, si dhe të përdorin si dokument identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga struktura paralele në vend.

I pari që e kumtoi këtë është Orav.

“Diskutuam për zbatimin, i cili do të fillojë nesër. Kemi pasur bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit. Dhe sot ka marrëveshje për zbatimin e ligjit për të huajt me hapa thelbësorë shtesë, para së gjithash sa i përket procesit të regjistrimit të serbëve të Kosovës dhe lejes së përkohshme të qëndrimit”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti dha detaje për lëshimet e bëra, e të cilave iu referua si “lehtësira”.

Ai ka sqaruar se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë dhe më pas Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë me lejet e përkohshme.

“Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jomiqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar edhe detaje të lehtësirave të krijuara.

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë”, ka thënë ai. “Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hap një dritare të re 3-mujore për t’u mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do t’u lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”.

Studentëve që aplikojnë, Kurti tha se do t’u ofrohet leje e përkohshme qëndrimi për 12 muaj, me mundësi vazhdimi. E, për punëtorët në institucione arsimore e shëndetësore, ai theksoi se ministritë respektive, në koordinim edhe me Sorensenin, do t’i përcaktojnë procedurat e afatet për inkorporim a licencim.

Kurti bëri të ditur se, bashkë me lehtësirat, do të vijojë angazhimi për integrimin e dy sistemeve paralele serbe brenda kornizës ligjore të Kosovës.

Është 16 marsi data kur është paralajmëruar të nisë zbatimi i dy ligjeve, që prek edhe serbët të cilët kanë refuzuar t’i binden sistemit kushtetues të Kosovës.

Akuzat e opozitës

Subjektet kryesore politike në opozitë kanë kritikuar Kurtin për lëshimin e bërë.

Në një komunikatë të Partisë Demokratike është shprehur shqetësim për këtë, pasi është konsideruar se përmes këtij veprimi “po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës”.

“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së. “Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre”.

Në reagimin e PDK-së është theksuar se ligjet e Kosovës duhet të zbatohen plotësisht dhe njësoj për të gjithë, e strukturat ilegale që veprojnë jashtë sistemit shtetëror duhet të mbyllen.

“Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës”, thuhet në reagim, e në të cilin i është bërë thirrje Qeverisë që të ndërpresë menjëherë “politikat e dëmshme që po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës”.

Ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

“Pas njohjes së pasaportave ilegale të strukturave paralele, sot me plot gojë kryeministri ynë tha se po u hapim edhe një dritare dokumenteve të tjera jolegale për serbët”, ka thënë ai. “Deri kur me këto lojëra plot gojën me patriotizëm, por plot vendime antikushtetuese dhe antiligjore. Me serbë dhe struktura paralele bashkëpunim të shkëlqyeshëm, e me shqiptarë të këtij vendi bllokada e rrëmujë”.

Lavdet e ambasadorëve

Ndryshe nga opozitarët, ambasadorë të akredituar në Prishtinë e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë.

Ai i Gjermanisë, Reiner Rudolph, e ka kualifikuar të rëndësishëm faktin që Kosova arriti marrëveshje për mënyrën e zbatimit të ligjeve, pa i ndërprerë shërbimet shëndetësore e arsimore që në komunat me shumicë serbe ofrohen nga institucione paralele.

“Është mirë të shohësh një marrëveshje se si të zbatohen Ligjet e Kosovës për të Huajt dhe për Automjetet. Sigurimi i lejeve të qëndrimit dhe të punës për punëtorët dhe studentët, shmangia e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, si dhe zgjidhjet praktike për lëshimin e dokumenteve për të gjithë qytetarët e Kosovës kanë rëndësi”, ka thënë në reagimin e tij ambasadori Rudolph.

E ambasadori francez, Olivier Guerot, ka thënë se kjo zgjidhje është rezultat i vullnetit të mirë të Qeverisë dhe i angazhimit të BE-së.

“Vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimit Evropian”, ka theksuar ambasadori Guerot.

Vendimi është përshëndetur edhe nga shefi i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.

“Mirëpresim marrëveshjen për zbatimin e ardhshëm të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet – një hap i rëndësishëm përpara në adresimin e një çështjeje praktike që prek jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë ai.

Dilemat në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përshëndetur lehtësirat, por ka thënë se zgjidhje të mira nuk ka.

“Nuk ka zgjidhje të mira dhe të lehta, por ky është lehtësim për ta. Është arritur një model. I di detajet teknike. Brenda shtatë deri në 10 ditë do të shkoj për të folur me njerëzit tanë në Rashkë”, ka thënë ai.

E me ton triumfues ka folur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se me këtë vendim është mundësuar funksionimi normal dhe i pandërprerë i institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.

“E shmangëm skenarin më të keq të mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë, sepse ky ishte qëllimi kryesor i zbatimit të Ligjit për të Huajt, të cilin Albin Kurti vendosi ta zbatojë pas 13 vjetësh. Ne e ndaluam mbylljen e institucioneve tona, që populli ynë të mund të vazhdojë të studiojë, të mësojë, të marrë trajtim shëndetësor dhe të shkojë në punë”, ka thënë ai.

Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013, kurse ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars. Dhe në prag të kësaj date është arritur pajtimi i Qeverisë për lehtësirat për serbët.

Rihapet pikëkalimi kufitar në Jarinjë

1 muaj më parë / 14 mar 2026 18:08 Nga: Vlerë Mehmeti
jarinje

Pas dy orësh mbylljeje, është rihapur pikëkalimi kufitar me Serbinë në Jarinjë.

Për dy orë kjo rrugë qëndroi e mbyllur për shkak të protestës së paralajmëruar për dy orë në territorin e Serbisë.

Nga ajo që ka mësuar KOHA, i pranishëm në protestë ishte edhe politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq, që është në arrati dhe kërkohet nga autoritetet e Kosovës prej kur në një pronë të tij në Zveçan ishte gjetur armatim nga Policia e Kosovës. 

Partia e Re Demokratike pati paralajmëruar protestë kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për të zbatuar Ligjin për të huajt dhe atë për automjete.

Një ditë më parë, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar dhe Ministria e Punëve të Jashtme, paralajmëruan qytetarët që të planifikojnë udhëtimet dhe të shmangin pritjet potenciale.

Ekipi i KOHËS në terren ka raportuar se në protestë nuk është parë turmë e madhe njerëzish.

Gjithsesi, në mëngjesin e së shtunës, Qeveria e Kosovës është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira. Me kërkesë direkte nga Bashkimi Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.

BE-ja e kënaqur me kompromisin rreth zbatimit të ligjit për të huajt

1 muaj më parë / 14 mar 2026 17:29 Nga: Augustin Palokaj
Bashkimi Evropian Kosova

Photo: Driton Paçarada

Marrëveshja për hyrjen në fuqi të ligjit për të huajt dhe afati kalimtar për disa kategori të serbëve që në Kosovë do të marrin leje të përkohshme qëndrimi është mirëpritur edhe në Bruksel. Për më tepër kjo nga diplomatët konsiderohet si dëshmi se me koordinim dhe bashkëpunim mund të arrihen zgjidhje të favorshme për të gjithë, që në njërën anë të respektohen ligjet e Kosovës e në anën tjetër të evitohen pasojat për një kategori të qytetarëve.

Këtë marrëveshje e ka përshëndetur edhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, duke paralajmëruar se është e gatshme të thërrasë edhe një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.

“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur”, ka thënë Kallas. “Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka porositur shefja e diplomacisë së BE-së, nën autoritetin e së cilës edhe është lehtësimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Por disa burime diplomatike në Bruksel nuk janë të sigurt se sa janë të gatshme palët që të marrin pjesë në një takim të nivelit të lartë. Kosova tash ka hyrë përsëri në një situatë të paparashikueshme institucionale, ndërkohë që edhe në Serbi vazhdon një situatë e tensionuar politike. Në këto rrethana nuk janë të sigurt se sa të gatshëm për një takim mes tyre në kuadër të dialogut do të ishin Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Bashkimi Evropian e sidomos Përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas, në anën tjetër, janë nën presion për të treguar ndonjë rezultat në kuadër të dialogut, i cili kryesisht ka stagnuar në dy tri vitet e fundit.

Mbyllet rruga në Jarinjë, serbët në protestë

1 muaj më parë / 14 mar 2026 16:32
Mbyllet rruga në Jarinjë, serbët në protestë

Është mbyllur qarkullimi për vetura në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë. Shkak është një protestë në territorin e Serbisë, e paralajmëruar për të nisur në orën 16:00 dhe që do të zgjasë dy orë. Protesta po organizohet kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për të zbatuar Ligjin për të huajt dhe atë për automjete.

Një ditë më parë, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar dhe Ministria e Punëve të Jashtme, paralajmëruan qytetarët që të planifikojnë udhëtimet dhe të shmangin pritjet potenciale.

Protesta po organizohet nga subjekti opozitare në Serbi, Partia e Re Demokratike. Ajo ditë më parë paralajmëroi protestë nga Rashka për në Jarinjë me sloganin “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.

“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Ekipi i KOHËS në terren ka raportuar se në protestë nuk është parë turmë e madhe njerëzish.

Gjithsesi, në mëngjesin e së shtunës, Qeveria e Kosovës është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira. Me kërkesë direkte nga Bashkimi Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.

PDK: Kompromiset e Kurtit cenojnë sovranitetin, legjitimoi strukturat ilegale

1 muaj më parë / 14 mar 2026 14:20
Bedri Hamza

Bedri Hamza

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim për, siç i ka quajtur, kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, referuar pajtimit të Qeverisë për t’u ofruar lehtësira të përkohshme serbëve që nuk janë të pajisur me dokumente të shtetit të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet. 

Për PDK-në, përmes këtij veprimi “po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës”.

“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas kësaj partie, këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence.

“Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre”.

PDK ka theksuar se ligjet e Republikës duhet të zbatohen plotësisht dhe njësoj për të gjithë, e strukturat ilegale që veprojnë jashtë sistemit shtetëror duhet të mbyllen. 

“Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës”.

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që të ndërpresë menjëherë “politikat e dëmshme që po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës”.

 

Ligji për të Huajt, Vuçiq: Lehtësim për serbët, në Rashkë do të bisedoj me ta

1 muaj më parë / 14 mar 2026 14:13
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur i kënaqur pasi Qeveria e Kosovës u pajtua të ofrojë lehtësira të përkohshme për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të shtetit të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet. 

Ai ka thënë se ka folur me serbët e Republikës së Kosovës për këtë çështje, teksa paralajmëroi edhe diskutime të tjera me ta, raportoi Danas. 

“Nuk ka zgjidhje të mira dhe të lehta, por ky është lehtësim për ta. Është arritur një model, i di detajet teknike. Brenda shtatë deri në 10 ditë do të shkoj për të folur me njerëzit tanë në Rashkë”, ka thënë ai. 

Ndërkohë, Vuçiqi ka falënderuar evropianët për përfshirje.  
 

Petkoviqi konfirmon marrëveshjen: Serbët mund të marrin frymë lirshëm

1 muaj më parë / 14 mar 2026 12:27
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës për Ligjin për të Huajt do të mundësojë funksionimin normal dhe të pandërprerë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë.

“Kam thirrur këtë konferencë të jashtëzakonshme për të njoftuar se kemi arritur një zgjidhje që do të mundësojë funksionimin normal dhe të qetë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë. Për këtë zgjidhje kemi punuar ditë e javë me Bashkimi Evropian”, ka thënë Petkoviq, duke lavdëruar angazhimin e përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Ai ka thënë se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me serbët në terren dhe me punonjësit e institucioneve serbe, rektorët, dekanët, drejtorët e spitaleve dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, “sepse kjo çështje nuk është thjesht administrative ose teknike, por mbi të gjitha një pyetje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.

“E shmangëm skenarin më të keq të mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë, sepse ky ishte qëllimi kryesor i zbatimit të Ligjit për të Huajt, të cilin Albin Kurti vendosi ta zbatojë pas 13 vjetësh. Ne ndaluam mbylljen e institucioneve tona, që populli ynë të mund të vazhdojë të studiojë, të mësojë, të marrë trajtim shëndetësor dhe të shkojë në punë. Kemi shpëtuar QKUK-në në Mitrovicë, qendrat shëndetësore në Graçanicë dhe Pasjan, të gjitha qendrat shëndetësore, institucionet arsimore, një universitet me dhjetë fakultete dhe një akademi”, u shpreh Petkoviq.

Ai theksoi se ky është lajm shumë i mirë dhe i rëndësishëm për serbët në Kosovë.

“Serbët mund të marrin frymë lirshëm. E hëna do të jetë një ditë pune normale”, theksoi ai.

Petkoviqi gjithashtu sqaroi se zgjidhja parashikon që 10 kryetarë komunash serbe të përpilojnë një listë të punonjësve në të gjitha institucionet arsimore dhe shëndetësore, përfshirë universitetin dhe studentët, bazuar në të cilat do të lëshohen lejet e punës dhe të qëndrimit për serbët e punësuar në këto institucione.

Lejet e përkohshme për këto kategori do të lëshohen për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, siç ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai shtoi se në këto lista do të përfshihen vetëm të dhëna personale, që do të thotë se nuk ka asnjë rrezik për sigurinë e serbëve, pasi Policia e Kosovës tashmë i ka të gjitha këto të dhëna.

Ligji për të Huajt, Kallas: Moment i ri për dialogun, jam gati të organizoj takim të nivelit të lartë

1 muaj më parë / 14 mar 2026 11:11
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka quajtur hap të rëndësishëm marrëveshjen për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt në Kosovë, duke theksuar se ky përparim shënon moment të ri në dialogun Kosovë-Serbi. 

Kallas ka thënë se është e gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë së shpejti. 

“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur. Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd-Prishtinë, dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar ajo në X. 
 

Ambasadorët e vlerësojnë të rëndësishëm zbatimin e Ligjit për të Huajt

1 muaj më parë / 14 mar 2026 10:37
QUINT

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës e kanë vlerësuar të rëndësishëm zbatimin e Ligjit për të Huajt.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar se ky përparim është kyç. 

"Është mirë të shohësh një marrëveshje se si të zbatohen Ligjet e Kosovës për të Huajt dhe Automjetet. Sigurimi i lejeve të qëndrimit dhe punës për punëtorët dhe studentët, shmangia e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore dhe zgjidhjet praktike për lëshimin e dokumenteve për të gjithë qytetarët e Kosovës kanë rëndësi. Ndërtimi mbi këtë përparim do të jetë thelbësor", ka shkruar Rudolph. 

Edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, i ka mirëpritur zhvillimet rreth Ligjit për të Huajt, duke thënë se veprimet nuk kanë ndikim negativ për jetën e serbëve të Kosovës. 

“E mirëpres njoftimin e përbashkët nga Sorensen, Orav dhe kryeministri Kurti. Vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Guerot në një postim në X.

Qeveria e Kosovës është pajtuar të ofrojë lehtësira të përkohshme për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela (nesër).

Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.
 

Kurti: Qeveria do t’u ofrojë leje qëndrimi për 12 muaj studentëve dhe punëtorëve serbë

1 muaj më parë / 14 mar 2026 09:27
kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se procesi i zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe për Automjete do të bëhet në koordinim me emisarin special të BE-së, Peter Sorensen. 

Ai ka sqaruar se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësore dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë dhe më pas Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë me lejet e përkohshme. 

Kurti ka theksuar nuk është në interesin e Kosovës që zbatimi i Ligjit të mos prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve, por se qëndrimi i Kosovës është që në Kosovë “nuk mund të ketë mekanizma ilegalë”. 

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, ka thënë ai. 

Kurti ka bërë të ditur se do të hapet një dritare e re tremujore për t'iu mundësuar qytetarëve serbë që kanë dokumente të strukturave ilegale të regjistrohen në Regjistrin Civil të Kosovës.

“Qeveria poashtu do të hap një dritare të re tremujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerr udhëzime të detajizuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda Sistemit Qendror të Regjistrit Civil të Republikës ë Kosovës“.

Kosova pajtohet për lehtësira të përkohshme për serbët në Ligjin për të Huajt

1 muaj më parë / 14 mar 2026 09:11
bas

Qeveria e Kosovës është pajtuar të ofrojë lehtësira të përkohshme për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela (nesër), ka konfirmuar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë një takimi që e patën të shtunën paradite në Prishtinë.

Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.

Ligjet për të huajt parasheh që të gjithë personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, përveç nëse kanë autorizim përkatës.

Megjithatë, pas takimit të së shtunës është vendosur që këto rregulla të mos zbatohen menjëherë për serbët e Kosovës pa dokumente kosovare. Ata do të kenë mundësi të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj, si dhe të përdorin si dokument identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga struktura paralele në vend.

Në një konferencë për shtyp të shtunën pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, Sorenseni ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e Ligjit dhe përpjekjet për integrimin e komuniteteve në përputhje me marrëveshjet me BE-në.

Por Sorenseni ka theksuar se procesi i ndryshimeve ligjore kërkon kohë, por ka përshëndetur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe zotimin e kryeministrit Kurti për zbatimin e ligjeve, pa ndërprerë funksionimin e shërbimeve bazë (arsimi, shëndetësia) për komunitetin serb. 

“Prioritet kyç i Qeverisë është sigurimi i lejeve për punëtorë dhe studentë për periudhë fillestare 12 muaj, për të mos penguar ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore... qeveria duhet t’i regjistrojë individët në harmoni me ligjin e Kosovës”, ka thënë Sorensen.

Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e konsultimeve me përfaqësuesit e komunitetit serb për të siguruar pajtimin e tyre dhe zbatimin e një procesi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Ligji për të huajt dhe ai për automjetet pritet të nisë së zbatuari nga nesër, pasi u shty dy herë.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

Ligji i prek më së shumti shtetasit e Shqipërisë dhe të Serbisë. Një sektor i prekur janë punonjësit dhe studentët e Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Sa i përket zbatimit të Ligjit për automjetet, heqja e targave serbe më 2022-2023, disa prej tyre i riregjistruan me targa të qyteteve të Serbisë dhe i vozisin në Kosovë me autorizime. Në autorizime gjenden letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës, që Kosova zyrtare nuk i njeh.

Serbia e ka kritikuar zbatimin e këtyre ligjeve. Zyrtarë serbë kanë pretenduar se zbatimi rrezikon largimin e komunitetit serb nga Kosova.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

E subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar për të shtunën protestë nga Rashka në Jarinjë me sloganin: “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.

“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars.

Ligji për të huajt sjell Sorensenin në Prishtinë

1 muaj më parë / 14 mar 2026 08:00
Albin Kurti

Afrimi i 16 marsit, si datë e caktuar për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete, do ta sjellë të shtunën (sot) në Kosovë emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Zyra e kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se ai do ta presë Sorensenin në Prishtinë në orën 08:30. Përderisa komunikata njoftuese nuk dha detaje për vizitën e emisarit danez, burimet diplomatike evropiane kanë thënë se arsyeja e vizitës është afat i zbatimit të Ligjit për të huajt.

Pas takimit pritet të ketë edhe deklarim për media.

16 marsi është data kur pritet që ky ligj të nisë së zbatuari, pas disa muajsh të fushatës informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të këtyre ligjeve.

Ligji për të huajt parasheh që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

Ligji i prek më së shumti shtetasit e Shqipërisë dhe të Serbisë. Një sektor i prekur janë punonjësit dhe studentët e Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Sa i përket zbatimit të Ligjit për automjetet, heqja e targave serbe më 2022-2023, disa prej tyre i riregjistruan me targa të qyteteve të Serbisë dhe i vozisin në Kosovë me autorizime. Në autorizime gjenden letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës, që Kosova zyrtare nuk i njeh.

Serbia e ka kritikuar zbatimin e këtyre ligjeve. Zyrtarë serbë kanë pretenduar se zbatimi rrezikon largimin e komunitetit serb nga Kosova.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

E subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar për të shtunën protestë nga Rashka në Jarinjë me sloganin: “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.

“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars.