Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lumezi: 68 zyrtarë të dyshuar për ryshfet, 18 ende në arrati

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se në aksionin e sotëm të koduar me emrin “Pika”, janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 prej të cilëve janë në Policinë e Kosovës dhe dy të tjerë zyrtarë të shërbimit doganorë, ndërsa aktvendimi është marrë për gjithsej 68 persona të dyshuar për vepra penale “marrje të ryshfetit”.

Në konferencën për media të mbajtur pas këtij aksioni, Lumezi tha se personat e tjerë që nuk janë arrestuar sot, janë në arrati e disa prej tyre nuk janë as shtetas të Republikës së Kosovës.

Lumezi shtoi se për ndalimin e të dyshuarve që gjenden në arrati, janë duke bashkëpunuar me autoritetet e Republikës së Shqipërisë.

“Pas një periudhe hetimore të gjatë rreth një-vjeçare, faktikisht nga muaji maj kemi filluar me hetimin e këtij rasti në bashkëpunim me IPK-në. Me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale kemi angazhuar dy prokurorë për këtë rast. Gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë për të siguruar prova të mjaftueshme se po kryhen vepra penale të marrjes së ryshfetit në pika doganore. Në moment të zbulimit të identiteteve të kryeseve të veprave penale kemi nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve kundër 68 personave, sot jeni njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë. Ndërsa, ndaj personave të tjerë që është nxjerrë aktvendim, disa janë në arrati e disa të tjerë nuk janë shtetas të Kosovës, por në këtë drejtim po bashkëpunojmë edhe me autoritetet e Republikës së Shqipërisë për të siguruar informacione dhe prova që na ndihmojnë në këtë proces. Të arrestuarve u janë konfiskuar telefonat mobilë që do të na shërbejnë në procedurën penale”, ka thënë Lumezi.

KOHA ka raportuar për aksionin e sotëm, ku ndër 50 zyrtarët e arrestuar ishin edhe dy komandantët e policisë kufitare, Ramiz Ahmeti dhe Xhavit Lokaj.