Arbëri

Aksioni “Pika” mund t’i paraprijë zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Inspektorati Policor u detyrua që të përdorë kombibus që 48 zyrtarë policorë e dy zyrtarë doganorë t’i sillte për intervistim në stacionin e këtij institucioni.

Të gjithë zyrtarët ishin pjesë e Stacionit Regjional të Policisë në Gjakovë, më saktësisht në dy pika të stacionit kufitar. Njërës nga këto pika i janë arrestuar të gjithë zyrtarët që ishin në ndërresë.

Aksioni i Prokurorisë Speciale e Inspektoratit Policor u përmbyll mëngjesin e së hënës me arrestimin e këtyre zyrtarëve mbi dyshimet për korrupsion. Ndonëse vepra kryesore për të cilin janë arrestuar këta persona është pranimi i ryshfetit, 18 persona që dyshohet se kanë paguar ryshfet nuk janë arrestuar ende.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka lavdëruar Prokurorinë Speciale për ketë aksion, ndonëse pyetjeve kryesore në konferencë nuk u ka dhënë përgjigje.

“Është e parakohshme të japim përgjigje në pyetjet e juaja të cilat i parashtruat. Këtë do ta bëjmë në momentin që do t’i ndërmarrim dhe kryejmë të gjitha veprimet hetimore”, tha Lumezi.

Në konferencë i pranishëm ishte edhe kryeprokurori special Blerim Isufaj. Ai është prokurori që e udhëheq këtë rast.

Isufaj është në garë për Kryeprokuror të Shtetit. Ky aksion është zhvilluar katër ditë para së Isufaj të intervistohet për këtë pozitë.

Por Lumezi nuk ka pranuar që ka ndonjë ndërlidhje të këtij aksioni e garës për pasardhësin e tij.

“Duhet t’i drejtohen lavde Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe drejtorit të Inspektoratit e kurrsesi nuk duhet të lidhet me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit”, tha Lumezi.

Aty të pranishëm ishin edhe kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, e drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Hodaj ka thënë se 50 zyrtarët e arrestuar janë të përfshirë në 400 veprime kriminale, ndërsa Mehmeti ka vlerësuar së pikërisht të tilla operacione kundër individëve brenda policisë tregojnë përkushtimin e tyre për të luftuar kriminalitetin brenda.

“Zyrtarët e arrestuar nga Policia dhe Dogana ishin përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Inspektorati ka realizuar operacionin ‘Pika’. Realizimi i operacionin është përkrahur nga AKI-ja dhe ka rezultuar i suksesshëm”, tha Hodaj.

“Policia e ka prioritet forcimin e integritetit duke identifikuar rreziqe brenda organizatës. Misioni dhe prioriteti ynë është integriteti policor, duke luftuar dukuritë negative të individëve të caktuar. Policia do të vazhdojë angazhimin e detyrave. Pikërisht kjo çka ndodh sot jemi duke ndërmarrë veprime operacionale. Pjesë e operacioni ka qenë edhe Policia e Kosovës”, deklaroi drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Edhe në të kaluarën ka pasur aksione për arrestimin e policëve të Kosovës të angazhuar në pika kufitare.