Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka thënë se situatën e rëndë si shkak i grevës së punëtorëve të sektorit publik, do ta rëndojë edhe më shumë mbajtja e grevës së paralajmëruar nga punëtorët e KEK-ut.
I ftuar të hënën në emisionin SOT në KTV, Llumnica tha se beson që do të plotësohen kërkesat e kësaj sindikate, ndër të cilat veçohet rritja e pagave.
“Ne nuk kemi dëshirë të bëjmë protesta e greva. Në realitet, në Korporatën Energjetike të Kosovës asnjëherë nuk është mbajtur grevë prej punëtorëve, kjo do të jetë e rëndë për arsye se ne po e shohim grevën në sektorin publik që po mbahet, por është shumë më e rëndë nëse bëhet grevë në KEK. Sërish po besoj se do të realizohen kërkesat tona, do të respektohet Ligji i Punës. Rritja e pagave është e domosdoshme për shkak të inflacionit që po ndodhë”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për pakënaqësitë e punëtorëve sa i përket pajisjeve mbrojtëse, Llumnica ka shtuar se kjo korporatë po përballet me mungesë të punëtorëve.
“Në bazë të skemës organizative që e kemi të vitit 2016, janë diku 5.300 punëtorë që duhet të jenë aty, kurse në KEK janë 3600, që i bie se mungojnë 1.700 punëtorë. Ne e shohim gjendjen në Kosovë që përditë ikin të rinjtë nga vendi, kurse ne kemi mungesë të punëtorëve”, është shprehur ai.
Llumnica ka thënë se kërkesat e tyre, për të cilat sipas tij, nuk kanë gjetur përgjigje deri tani, i kanë shprehur që nga fillimi i këtij viti.
Edhe
Llumnica: Për t’ia rregulluar pazaret dikujt, bordi i KEK-ut po na shtyn drejt grevës
Që nga 25 gushti, mësimdhënësit dhe administrate publike janë në grevë. Kërkesë e tyre është dhënia e 100 eurove shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Qeveria ka ofruar nga 50 euro për tre muaj rresht.