Arbëri

Llumnica: Për t’ia rregulluar pazaret dikujt, bordi i KEK-ut po na shtyn drejt grevës

Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, thotë se Bordi i KEK-ut po i shtyn punëtorët e saj drejt grevës qëllimisht. Ai nuk e përjashton mundësinë e hyrjes në grevë dhe ndaljes së energjisë elektrike për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.

Llumnica ka thënë se u mungojnë edhe gjërat më elementare, si veshjet e pajisjet, ndërkohë që punëtorët po kërkojnë rritje të pagave.

“E dimë që për me ia rregulluar pazaret dikujt për energji elektrike janë duke na çuar drejt grevës. Nuk e kemi përdorur grevën për shkaqe emergjente të energjisë elektrike, por ata (Bordi dhe menaxhmenti) janë sikur duke na shtyrë me qëllim të caktuar. Ne mendojmë kështu, nuk e di a e kanë qëllim. Në momentin që thonë se nuk ka bazë ligjore duke u bazuar në inflacionet, të hyrat, etj, menaxhmneti dhe Bordi i KEK-ut janë duke u munduar të na shtyjnë vetëm në grevë. Nuk përjashtohet mundësia e hyrjes në grevë sepse kemi kërkesë të madhe të anëtarësisë që të shkojmë ne grevë dhe të ndalet energjia elektrike”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Llumnica ka shtuar se u është premtuar disa herë ngritja e pagave e asnjëherë nuk është bërë diçka në këtë drejtim.

“Kërkesa jonë për rritje të pagave është në bazë të hyrave, prodhimit, dhe ka mbetur për tu negociuar. Nuk kemi bërë kërkesë vetëm pse duam kaq, e kemi kërkuat 250 euro, apo rreth 30%. Duam dialogim me Bordin e KEK-ut dhe menaxhmnetin. Kemi pasur premtime të ndryshme deri tash, më 2 prill jemi takuar me bordin ku na kanë premtuar që në fund të prillit do dakordohemi me pasqyrat financiare”.

Llumnica i ka quajtur gënjeshtra premtimet e Bordit të KEK-ut, pasi sipas tij ato janë bërë herë pas here jo vetëm për rritje pagash por edhe për rregullimin e kushteve të tjera.

“Këto gënjeshtrat e menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut nuk janë sefte. Prej shtatorit të vitit të kaluar kemi premtimin për shujta e ushqimit se do ngritet nëse nuk hapet mensa. Ne kemi një shujtë 1.74 centë. Një punëtor i industrisë në atë lloj natyre të punës që është shumë e pamundshme të realizohet, ne e kemi një shujtë në formë qesharake. Na është premtuar shujta aq sa është në treg, kemi kërkuar 5 euro, nuk do të thotë të jetë aq. Nuk është dialoguar fare. Në dhjetor e kemi pasur sërish premtimin, tash e kemi sërish premtimin për rishikim të pasqyrave financiare dhe ka dalë me email tjetër nga kryesuesi i Bordit me kërkesë që të mos kemi protesta sepse duhet të presim deri në fund të majit”, ka theksuar Llumnica.


Llumnica: KEK-u i ka rreth dy mijë punëtorë mungesë

Nexhat Llumnica nga Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka deklaruar se kjo ndërmarrje i ka dy mijë punëtorë në mungesë.

Ai ka njoftuar se në të gjithë sektorët e KEK-ut ka mungesë të punëtorëve.

“Në bazë të skemës organizative që mund të jetë jo e mirë ajo e vitit 2016, i kemi dy mijë punëtorë në mungesë. 3200 punëtorë janë, 5300 janë në skemën organizative. Edhe këta janë të sfiduar. Vetëm këtë vit rreth 250 persona pensionohen, mosha mesatare në KEK është rreth 60-vjeç. Ka nevojë për punë. Te të gjithë sektorët ka mungesë, më kritikët janë sektorët e prodhimit, si në divizion të qymyrit, ashtu edhe në termocentrale, pastaj janë sektorët e mirëmbajtjes, të djerrinës, edhe në administratë ka mungesë të punëtorëve, por ajo nuk ndikohet shumë pasi nuk ka punë fizike dhe ja dalin disi”, ka thënë ai.

Ai pret që ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Përparim Kabashi, të ketë komunikim më të mirë sa i përket rritjes së stafit.

“Duhet të ndërmerren masa të shpejta, pasi rreth gjashtë muaj duhet të bëhen praktika, duhet të dërgohen në termocentrale, pasi nuk mund ta bëjë punën që e bën dikush me dhjetëra vjet përvojë. Po besoj që ushtruesi i detyrës (së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut) që ka ardhur tani, do ta ketë një komunikim më të mirë me ne. Përparim Kabashi ka qenë edhe më parë si ushtrues detyre. Nuk jemi të njoftuar se sa punëtorë të rinj do të vijnë në KEK”, ka thënë ai.

Llumnica ka shtuar se për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje ka pasur shkelje të të drejtave të tyre.

“Për ne punëtorët ka pasur shkelje të të drejtave jashtëzakonisht të mëdha, duke nisur nga shujta e ushqimit, nga rreziku që nuk është bërë vlerësimi, duke u nisur që vikendet e punëtorëve me ndërrime nuk janë paguar, e kështu ka pasur shkelje të të drejtave të punëtorëve”, është shprehur ai.

Sa i përket arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, Llumnica ka thënë se pas aprovimit që Gjykata i ka bërë kërkesës së Prokurorisë për paraburgim, ka elemente bazë.

“Në momentin që ka ndodhur një arrestim, në momentin që Prokuroria ka kërkuar paraburgim për 30 ditë dhe Gjykata ia ka aprovuar kërkesën, mendoj që ka elemente bazë. Nuk dua ta fajësoj atë që është në burg sot, por me të vërtetë mund të ketë gabuar të bëjë shkelje ligjore dhe pate apo nuk pate dallavere, kur e shkel ligjin e bëfsh me shëndet”, ka thënë ai.