Ish-diplomati austriak Stefan Lehne ka thënë se kriza e Grenlandës ishte një “zile zgjimi” për Bashkimin Evropian, duke e shtyrë atë të kuptojë më qartë nevojën për të forcuar kapacitetet e veta mbrojtëse dhe për të mos u mbështetur vetëm te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Lehne ka thënë se qëndrimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për Grenlandën nxorën në pah dallimet mes vendeve evropiane për raportin me SHBA-në dhe të ardhmen e sigurisë së kontinentit.
Sipas tij, disa shtete, veçanërisht Franca, kanë mbështetur prej kohësh idenë se Evropa duhet të jetë më autonome dhe sovrane në çështjet e mbrojtjes, ndërsa vende të tjera, sidomos në Evropën Qendrore dhe Lindore, vazhdojnë ta shohin SHBA-në si të pazëvendësueshme për sigurinë e tyre.
“Kriza në lidhje me Grenlandën, kur ai tha se duhet ta zotërojmë, duhet ta kemi, ishte një lloj zile zgjimi. Dhe ky është momenti kur BE-ja në njëfarë mënyre filloi të kundërsulmonte”, ka thënë Lehne.
Ai ka theksuar se tashmë ekziston një mirëkuptim më i madh për nevojën që BE-ja t’i forcojë kapacitetet e veta ushtarake. Sipas tij, Bashkimi Evropian ka pothuajse dyfishuar shpenzimet ushtarake që nga viti 2022, ndërsa janë ndërmarrë edhe iniciativa për investime më të mëdha në mbrojtje.
Megjithatë, Lehne ka vlerësuar se përçarjet mes shteteve anëtare vazhdojnë të mbeten, pasi një pjesë e tyre besojnë se nuk ka alternativë ndaj mbështetjes amerikane, ndërsa të tjerat kërkojnë më shumë autonomi në vendimmarrjen evropiane.
Lehne ka paraqitur disa rrugë të mundshme për forcimin e mbrojtjes evropiane. Njëra prej tyre, sipas tij, është krijimi i një shtylle më të fortë evropiane brenda NATO-s, ku vendet evropiane do të merrnin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen konvencionale.
Një mundësi tjetër do të ishte zgjerimi i bashkëpunimit në kuadër të traktateve aktuale të BE-së, përmes programeve të përbashkëta, mbështetjes së industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimit operacional.
Si alternativë më radikale, ai ka përmendur krijimin e një strukture plotësisht të integruar të mbrojtjes evropiane, me komandë dhe forca të përbashkëta. Megjithatë, sipas Lehnes, kjo rrugë është ende larg realizimit, pasi do të kërkonte ndryshime të traktateve dhe një konsensus politik që aktualisht mungon.
Ai ka përmendur edhe mundësinë e krijimit të koalicioneve të shteteve të gatshme për të bashkëpunuar në çështjet e sigurisë, duke marrë si shembull diskutimet për garancitë e sigurisë për Ukrainën.