Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Stefan Lehne në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 68-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është ish-diplomati austriak dhe ish-përfaqësuesi i BE-së për bisedimet me Martti Ahtisaarin, Stefan Lehne.

Lehne: S’ekziston kërcënim serioz për shpërthimin e dhunës në Ballkanin Perëndimor

3 min. më parë / 11 tet 2026 20:32
Stefan Lehne

Ish-diplomati austriak Stefan Lehne ka vlerësuar se aktualisht nuk ekziston një kërcënim serioz për shpërthimin e dhunës masive në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se sfida kryesore për Bashkimin Evropian është lufta në Ukrainë.

Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Lehne ka thënë se rajoni ka shënuar rreth dy dekada stagnim, ndonëse ka pasur zhvillime pozitive ekonomike dhe përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve.

“Nuk mendoj se ekziston më një kërcënim vërtet serioz i një shpërthimi dhune masive në rajon. Kështu që ne mund të jetojmë me këtë nga pikëpamja e BE-së për 20 vjet të tjera”, ka deklaruar Lehne.

Ai ka theksuar se lufta në Ukrainë përbën një sfidë ekzistenciale për BE-në, duke paralajmëruar se një disfatë e Ukrainës dhe dobësimi i mbështetjes evropiane mund të sjellin pasoja të rënda për kontinentin.

Sipas tij, nëse BE-ja nuk arrin ta mbështesë Ukrainën në masën e nevojshme, për shkak të rritjes së forcave nacionaliste në disa shtete, dhe nëse presidenti amerikan Donald Trump arrin një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin në dëm të Ukrainës, Evropa do të përballet me probleme të mëdha.
Për këtë arsye, ai e ka cilësuar mbështetjen për Ukrainën si thelbësore, ndërsa ka thënë se perspektiva e anëtarësimit në BE duhet të jetë pjesë e garancive të sigurisë për këtë vend, edhe nëse procesi nuk mund të përfundojë shpejt.

Lehne: Episodi i Grenlandës ishte zile zgjimi për Evropën

12 min. më parë / 11 tet 2026 20:22
Stefan Lehne

Ish-diplomati austriak Stefan Lehne ka thënë se kriza e Grenlandës ishte një “zile zgjimi” për Bashkimin Evropian, duke e shtyrë atë të kuptojë më qartë nevojën për të forcuar kapacitetet e veta mbrojtëse dhe për të mos u mbështetur vetëm te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Lehne ka thënë se qëndrimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për Grenlandën nxorën në pah dallimet mes vendeve evropiane për raportin me SHBA-në dhe të ardhmen e sigurisë së kontinentit.

Sipas tij, disa shtete, veçanërisht Franca, kanë mbështetur prej kohësh idenë se Evropa duhet të jetë më autonome dhe sovrane në çështjet e mbrojtjes, ndërsa vende të tjera, sidomos në Evropën Qendrore dhe Lindore, vazhdojnë ta shohin SHBA-në si të pazëvendësueshme për sigurinë e tyre.

“Kriza në lidhje me Grenlandën, kur ai tha se duhet ta zotërojmë, duhet ta kemi, ishte një lloj zile zgjimi. Dhe ky është momenti kur BE-ja në njëfarë mënyre filloi të kundërsulmonte”, ka thënë Lehne.

Ai ka theksuar se tashmë ekziston një mirëkuptim më i madh për nevojën që BE-ja t’i forcojë kapacitetet e veta ushtarake. Sipas tij, Bashkimi Evropian ka pothuajse dyfishuar shpenzimet ushtarake që nga viti 2022, ndërsa janë ndërmarrë edhe iniciativa për investime më të mëdha në mbrojtje.

Megjithatë, Lehne ka vlerësuar se përçarjet mes shteteve anëtare vazhdojnë të mbeten, pasi një pjesë e tyre besojnë se nuk ka alternativë ndaj mbështetjes amerikane, ndërsa të tjerat kërkojnë më shumë autonomi në vendimmarrjen evropiane.

Lehne ka paraqitur disa rrugë të mundshme për forcimin e mbrojtjes evropiane. Njëra prej tyre, sipas tij, është krijimi i një shtylle më të fortë evropiane brenda NATO-s, ku vendet evropiane do të merrnin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen konvencionale.

Një mundësi tjetër do të ishte zgjerimi i bashkëpunimit në kuadër të traktateve aktuale të BE-së, përmes programeve të përbashkëta, mbështetjes së industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimit operacional.

Si alternativë më radikale, ai ka përmendur krijimin e një strukture plotësisht të integruar të mbrojtjes evropiane, me komandë dhe forca të përbashkëta. Megjithatë, sipas Lehnes, kjo rrugë është ende larg realizimit, pasi do të kërkonte ndryshime të traktateve dhe një konsensus politik që aktualisht mungon.

Ai ka përmendur edhe mundësinë e krijimit të koalicioneve të shteteve të gatshme për të bashkëpunuar në çështjet e sigurisë, duke marrë si shembull diskutimet për garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Lehne: E gjykuam gabim situatën për Kosovën, prisnim që propozimi i Ahtisaarit të miratohej në OKB

24 min. më parë / 11 tet 2026 20:11
Lehne

Ish-diplomati austriak Stefan Lehne ka thënë se bashkësia ndërkombëtare e kishte gjykuar gabim situatën gjatë procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, pasi kishte pritur që propozimi i Martti Ahtisaarit të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Lehne ka thënë se që nga fillimi ishte e qartë se nuk kishte gjasa për një marrëveshje mes palëve, por se shpresat ishin përqendruar te propozimi i Ahtisaarit dhe miratimi i tij në OKB.

“Prisnim që në fund të kishte një propozim shumë të mirë nga Martti Ahtisaari, i cili në njëfarë mënyre do të miratohej nga Këshilli i Sigurimit. Dhe me këtë miratim të Këshillit të Sigurimit, ky do të ishte një sinjal shumë i fuqishëm për pothuajse të gjithë që ta pranonin rezultatin”, ka thënë Lehne.
I pyetur nga Surroi për mbështetjen që Ahtisaari priste nga Rusia, Lehne ka thënë se ekipi i tyre kishte edhe përfaqësues rusë dhe se fillimisht ekzistonte përshtypja se Moska po bashkëpunonte, pasi palët kishin pritshmëri të përbashkëta për rezultatin e procesit.

Megjithatë, sipas tij, nga mesi i viteve 2000, marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit nisën të përkeqësoheshin gradualisht, derisa presidenti rus Vladimir Putin vendosi të mos vazhdonte më me atë qasje.

“U gjendëm në një situatë shumë më të vështirë, e cila përfundimisht çoi te shpallja e pavarësisë dhe njohja nga shumë shtete, por jo nga të gjitha shtetet”, ka deklaruar Lehne.
Lehne ishte edhe përfaqësues i Bashkimit Evropian në procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga Martti Ahtisaari.