Kërkesa e gastronomëve për lirimin nga pagesa e taksave për shfrytëzimin e hapësirës publike për vitin aktual është miratuar në seancën e fundit të Kuvendit të Prizrenit. Ndërsa komuniteti i gastronomëve ka uruar që ky të jetë viti i fundit që kërkohen lehtësira të tilla nga organet komunale.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit njëzëri kanë miratuar kërkesën e gastronomëve për lirimin nga pagesa e taksave për shfrytëzimin e hapësirës publike për vitin aktual.
Qeveria komunale ka vlerësuar si të arsyeshme këtë kërkesë, derisa opozitarët kanë apeluar që zaptuesit e hapësirave publike të përjashtohen nga ky vendim.
Nënkryetari i Komunës, Kujtim Gashi , duke prezantuar kërkesën e gastronomeve, ka kërkuar që ajo të mbështetet.
“Kemi ardhur në përfundim që është kërkesë e arsyeshme, për shkak të vështirësive që kanë pasë gastronomët në dy-tre vitet e kaluara, përkatësisht te pjesa e pandemisë dhe mendoj që është politikë e drejtë që edhe gjatë këtij viti t’i lirojmë nga pagesa ose obligimet për hapësirat publike dhe ju ftoj të gjithëve që ta mbështetni ashtu siç e keni mbështetur edhe në Komitetin për Politikë e Financa”, ka thënë Gashi.
Ilir Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje ka pohuar se kjo kërkesë nuk duhet të refuzohet, por që duhet pasur kujdes që zaptuesit e hapësirave publike të mos përfitojnë nga ky lirim.
“Vetëm ata që kanë leje nga komuna për shfrytëzimin e hapësirës publike, vetëm ata të lirohen, e të tjerët jo, por duhet edhe të gjobiten”, ka thënë Gashi.
Nënkryetari Gashi ka konfirmuar se vetëm gastronomët që kanë kontrata me komunën përfitojnë nga ky lirim.
“Në këtë vendim hyjnë vetëm ata që kanë marrëveshje me Komunën, marrëveshje të vazhdueshme edhe viteve paraprake, edhe vendimi për lirim është vendim i njëjtë me atë të vitit të kaluar”, ka thënë Gashi.
Gastronomët kanë uruar që nga viti i ardhshëm t’i paguajnë të gjitha obligimet.
“Besojmë që në këtë vit ta tejkalojmë këtë sfidë dhe viteve tjera të jemi kontribuues në çdo pagesë, në çdo taksë që na ngarkohet si biznes. Po shpresojmë se do ta tejkalojmë këtë krizë që veçse e kemi pasur në dy vjetët e kaluar nga COVID-19”, ka thënë Ilir Shala, gastronom.
Gastronomët e Prizrenit janë liruar nga kjo pagesë edhe në dy vjetët e shkuar.