Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë miratuar Rregulloren e re për Taksa Komunale. Sipas Ekzekutivit që ka propozuar shqyrtimin dhe miratimin e kësaj rregulloreje, qëllimi i këtij akti komunal është përcaktimi i aktiviteteve, të cilat i nënshtrohen taksës komunale, lartësinë e taksave komunale, përcaktimin e kategorive të liruara nga kjo taksë si dhe përcaktimin e kundërvajtjeve dhe sanksioneve kundërvajtëse për shkeljet e dispozitave të saj.
Duke e prezantuar përmbajtjen e kësaj rregulloreje, drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari ka theksuar se bëhet fjalë për njërin prej dokumenteve kryesore komunale që ndërlidhet me të hyrat komunale.
Sipas tij, rregullorja e re për taksa komunale vjen si rezultat i punës 2 vjeçare në kuadër të reformës administrative, të zhvilluar bashkë me IFC-në/Bankën Botërore, me qëllim të thjeshtimit të procedurave administrative komunale.
“Përmes Rregullores së re për taksa komunale, e hartuar në kuadër të reformës administrative në Komunën e Prizrenit, realizohen 3 synime kryesore, si heqja e taksës vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste, për të gjitha kategoritë e bizneseve; pezullimi i lëshimit të procedurave pa bazë ligjore, lëshimi i të cilave është i padrejtë ndaj qytetarëve dhe që rrezikojnë autoritetin e Komunës; dhe ulja e taksave të procedurave të ndryshme administrative, të cilat janë cilësuar si tejet të larta në krahasim me koston reale të shërbimit të ofruar”, ka thënë Hajdari, para këshilltarëve në mbledhjen e fundit të KK-së.
Ai ka shprehur qëndrimin se pos tjerash rregullorja në fjalë do të krijojë lehtësime financiare për qytetarët dhe bizneset, me eliminimin e pagesave përkatësisht arkëtimeve me barrë administrative e financiare, që deri më tani kanë krijuar pakënaqësi dhe pengesa të shumta tek të dyja palët.
“Sipas IFC-së/BB-së kjo rregullore e re qytetarëve dhe bizneseve të Komunës së Prizrenit në vit do t’ju kursejë rreth 270 mijë euro. Prej tyre 170 mijë euro kursehen nga taksat për veprimtarinë afariste, pasi që ato janë hequr në tërësi”, është shprehur Hajdari.
Zyrtari i lartë komunal duke shpjeguar rrjedhën e bashkëpunimit me IFC-në/BB-në ka pohuar se pas miratimit të rregullores në KK-në e Prizrenit si dhe marrjes së konfirmimit për ligjshmërinë e këtij akti nga MAPL-ja, atëherë Banka Botërore do ta përgatis edhe regjistrin e procedurave administrative komunale që do t’i ofrohet qytetarëve të Komunës së Prizrenit.
Gjatë diskutimit për dispozitat e Rregullores, kuvendarja nga radhët e VV-së, Dafina Alishani ka kërkuar sqarime se përse për gërmimet në sipërfaqet e gjelbra nuk parashihet taksë. “Mendoj se duhet të jemi më të ndjeshëm për sipërfaqet e gjelbra, që mos të dëmtohet mjedisi. Konsideroj se duhet të jetë një taksë, ashtu që ta ndalim degradimin e mjedisit”, ka thënë ajo.
Aplikimi i një takse të tillë për prerjet dhe gërmimet në asfalt është kërkuar edhe nga kuvendarja e LDK-së, Sadije Osaj-Jakupi, si dhe anëtari i Nismës, Shukri Quni.
“Pse nuk ka dënim për atë që e prenë asfaltin dhe nuk e kthen në gjendjen e mëparshme. Dikush duhet me dhanë përgjegjësi”, ka deklaruar Quni.
Drejtori Osmani ka pohuar se gjobat për kundërvajtje parashihen në rregullore, dhe ka shtuar se edhe organizatat e shoqërisë civile kanë propozuar aplikimin e taksës për gërmimet apo dëmtimet në sipërfaqet e gjelbra.
Ndërsa Ilir Baldedaj i AAK-së ka shprehur bindjen se deklarimet për shkurtimin e procedurave administrative qëndrojnë në letër, meqë sipas tij ka raste kur radhët në sportelet e komunës janë të gjata, si dhe duhet pritur një javë për nxjerrjen e listës poseduese. Mirëpo këto pretendime i ka hedhur poshtë, drejtori Hajdari, duke theksuar se ofrimi i shërbimeve është përshpejtuar që prej krijimit të qendrës së shërbimeve me një ndalesë.
Pavarësisht këtyre kundërshtive, pas krijimit të kuorumit të nevojshëm, anëtarët e KK-së me shumicë votash kanë aprovuar rregulloren e re për taksa komunale.
Drejtori Hajdari krahas shprehjes së mirënjohjes për IFC-në/BB-në, ka falënderuar edhe anëtarët e KK-së për votimin e rregullores, duke e cilësuar si “një hap me vlerë të madhe drejt finalizimit të reformës administrative”.